Dorëheqja taktike ja si bashkëshortja e Fullanit kërkon rikthimin në drejtësi pa Veting

25 Shtator 2019, 12:27

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë Arjana Fullani, bashkëshortja e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, kërkon heqjen e afatit 15-vjeçar për të qëndruar larg drejtësisë, pasi u largua nga sistemi me vullnetin e saj, për t’i shpëtuar skanimit të trefishtë të Vetingut për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në 23 korrik të 2019, vendosi të ndërpriste procesin e Vetingut për Arjana Fullani, pas largimit të saj fillimisht nga Gjykata e Lartë dhe më pas refuzimit për të shërbyer në gjykatën e apelit.

Por, në vendimin e Komisionit të Vetingut, ndër të tjera theksohet humbja e së drejtës së Fullanit për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. Këtë pikë të vendimit, Arjana Fullani kërkon që ta rrëzojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke sinjalizuar kështu një plan të saj për t’u rikthyer në gjyqësor, pas dorëheqjes taktike për të shmangur Vetingun. Në datën 4 shtator, zonja Fullani i ka kërkuar KPA që të heqë pjesën e ndalimit për një afat prej 15 vitesh për t’u rikthyet në gjyqësor.

Pse Fullani kërkon heqjen e afatit ndalues?

Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili rregullon mënyrën e emërimit të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve në drejtësinë e re, nuk parashikon kontrollin e pasurive dhe figurës për ish-gjyqtarët që duan të rikthehen në sistem. Kjo duket se është edhe arsyeja se pse Arjana Fullani i kërkon Kolegjit të Apelimit heqjen e kriterit ndalues për t’u rikthyer prej 15 vitesh. Nëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzon periudhën e ndalimit prej 15 vitesh, Arjana Fullani mund të rikthehet në sistemin e drejtësisë pa iu nënshtruar kontrollit të pasurive dhe figurës.

Më konkretisht, neni 36 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikon mënyrën e emërimit të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve në drejtësinë e re. Sipas pikës 1 të këtij neni, brenda afatit dyjavor, nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët mund të kandidojnë për t’u riemëruar, pas marrjes së ftesës, në përputhje me përcaktimet në pikën 1, të nenit 39, të këtij ligji.

Po çfarë parashikon neni 39?
Pika 1 i nenit 39 i ligjit për statusin e magjistratëve, parashikon që brenda muajit qershor të çdo viti, pas përfundimit të procedurave të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë, secili Këshill shpall vendet e lira për të emëruarit. Pra, nuk ka asnjë parashikim për kontrollin e pasurive dhe figurës. Ndërkaq, ndryshe janë kushtet për të diplomuarit në Shkollën e Magjistraturës. Ata, sipas pikës ‘c’ të nenit 35 të këtij ligji, duhet t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë dhe figurës. Pra, vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të jetë vendimtar për fatin e Arjana Fullanit në raport me drejtësisë. Të njëjtën kërkesë kanë bërë edhe ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë Evelina Qirjako dhe Aleksandër Muksaj.