Dorëheqjet dhe shkarkimet nga Vettingu, Magjistratura 3-fishon pranimet

26 Janar 2020, 13:12

TIRANË- 180 shkarkimet dhe dorëheqjet nga sistemi i drejtësisë për shkak të Vettingut kanë detyruar Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë Gjyqësorë të trefishojnë pranimet në magjistratura.

Report Tv mëson se për vitin akademik 2020-2021, KLP ka vendosur të rekrutojë 35 magjistratë për prokurorë ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor 40 magjistratë për gjyqtarë.

Prej vitit 1991, kur magjistratura ka hapur dyert për herë të parë ky është numri më i lartë i pranimeve pasi më herët kanë variuar nga 8 deri në 25 magjistratë.

Të gjithë magjistratët të cilët do të rekrutohen për të ndjekur studime tre vjeçare, 2 vite teori dhe një vit praktik në Prokurori e Gjykata do t'i nënshtrohen Vettingut në dy faza.

Nisja e shkollës prej tyre do të bëhet pasi më parë KLP e KLGJ të jap "ok" dhe po ashtu emërimi do të bëhet përpara se komisioni i pavarur i kualifikimit t'i certifikojë.

Shkolla e magjistraturës pritet që në fillim shkurtit të transferohet pranë polit të drejtësisë aty ku do të kenë selinë edhe shumë institucione të reja si KLP, KLGJ dhe është duke u shqyrtuar mundësia e dërgimit edhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.