'Dosja 339', Salianji: Shkatërron provat pas çdo dite në liri, të arrestohet pa vonesë Dako

11 Nëntor 2018, 14:14

TIRANË- Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka vijuar me akuzat ndaj kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos duke kërkuar sërish arrestimin e tij.

Gjatë një deklarate për shtyp, Salianji u shpreh se ‘Dosja 339’ ka faktuar përtej çdo dyshimi se Vangjush Dako ka bashkëpunuar me bandën e Avdylajve dhe ka kryer krimin elektoral të blerjes së votave në Qarkun e Durrësit.

Sipas Salianjit, Vangjush Dako ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me trafikantët ndërkombëtarë të drogës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke i shkëmbyer me pasuri, pushtet dhe favore votat e blera prej tyre për pushtetin ilegjitim të Edi Ramës.  

Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg! Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë. Çdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga  Edi Rama.  

Ervin Salianji, deputet i PD-së

Akuzat e PD ndaj Dakos lidhen me disa përgjime që kanë dalë në media, ku kryebashkiaku i Durrësit komunikon me njërin nga anëtarët e bandës së Avdylajve, Altin Avdylaj. Sipas PD, Dako bashkëpunoi me Avdylajt për të blerë votat në Durrës, por këto akuza janë hedhur poshtë nga kryebashkiaku, i cili ka thënë se komunikimet me Avdylajt kanë qenë në kuadër të fushatave elektorale dhe pa asnjë prapavijë kriminale.

    No videos found.