Dosja e plotë e sulmit në Selenicë! Ndjekje nga kati i parë në të 5-të, rrëfimi i Xhaferrajt: Si i shpëtova breshërisë së kallashit me silenciator, dera shoshë, ja ku dyshoj

16 Maj 2020, 17:52

Jetnor Xhaferaj i ka shpëtuar mrekullisht atentatit të organizuar në 15 maj në Selenicë të Vlorës, ku persona të maskuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik dhe pistoletë në drejtim të tij. “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dinamikën e këtij krimi të rëndë, ku vetë Xhaferaj ka pohuar se është qëlluar nga një person i maskuar, i cili më pas e ka ndjekur në shkallët e pallatit, deri në katin e 5-të, ku Xhaferaj ka arritur të shpëtojë duke hyrë në apartamentin e tij. Në pamundësi për ta arritur dhe ekzekutuar, autorët e këtij krimi kanë qëlluar me breshëri dhe derën e apartamentit të Xhaferaj që ndodhet në katin e 5-të, por ajo nuk është hapur sërisht.

Autorët e kanë qëlluar disa herë me shkelma, por sërisht dera nuk është hapur. Mos hapja e derës, të cilën Xhaferaj e kishte mbyllur nga brenda, ka sjellë shpëtimin e këtij të fundit nga ekzekutimi brutal. Personi që e ndoqi me vrap dhe breshëri plumbash nëpër shkallët e pallatit ka zbritur sërisht me vrap, duke dalë nga pallati dhe hipur në një automjet, i cili u larguar me shpejtësi. I mbijetuari Jetnor Xhaferaj, i ka treguar policisë se ishte kthyer 48 orë më parë në Vlorë, pikërisht në datën 13 maj 2020, pas një vendimi të autoriteteve gjermane për deportimin e tij në Shqipëri. Kjo pasi në këtë shtet ai ishte dënuar për akuzën e vjedhjes dhe dënuar me 3 vjet e gjysëm burgim. Pas përfundimit të dënimit gjermanët kanë vendosur që të deportojnë Jetnor Xhaferaj, duke marrë vendimin për dëbimin e tij. Në 13 maj 2020 Xhaferaj ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Xhaferaj, ka treguar në polici se ditën e ngjarjes në 15 maj 2020 kishte shkuar në banesën e nënës së tij për ta parë, pasi kishte që nga viti 2014, që nuk e kishte takuar.