Dosja e plotë/ Si u vra Angjelin Shkambi pasi u thirr nga Artan Koçeku për kafe

14 Korrik 2019, 15:53 | Përditesimi: 14 Korrik 2019, 15:53

Artan Koçeku, njeriu që ekzekutoi me 10 plumba Angjelin Shkambin në dhjetor 2017 dhe i arrestuar dy ditë më parë në Shkodër, kur me vehte mbante pa lejë dhe një pistoletë, rezulton ta ketë thirur në takim viktimën dhe më pas e ka qëlluar për vdekje.

Një fakt i tillë evidentohet në dosjen e gjykatës. Koçeku, që sapo kishte dalë me lejë nga burgu i Peqinit, i kërkon nëpërmjet “FB” takim viktimës Angjelin Shkambi, duke kërkuar që të pinin kafe. Hetimi i prokurorisë nxjerr se viktima Shkambi merrej me kultivim të lëndëve narkotike, shpërndante fara hashashi dhe jepte para borxh. Një shumë financiare prej 40 mijë eurosh Angjelin Shkambi ja kishte dhënë Aleksandrit, vëllait të Artan Koçekut dhe ai ende nuk ja kishte kthyer. Por ky nuk ka qënë konflikti i vetëm mes vëllezërve Koçeku dhe Shkambit, pasi, siç del edhe në dosje, Shkambi kishte krijuar një raport intim me motrën e vëllezërve Koçeku, ndërkohë që, nga ana tjetër, ishte i fejuar me një vajzë tjetër. Ky ka qënë dhe shkaku kryesor që Koçeku ka arritur të marë një lejë 7-ditore nga burgu i Peqinit, ku vuante dënimin me 8 vite burgim për vjedhje dhe të vrasë mikun e tij me 10 plumba, duke e thirur vetë në takim, për kafe.

Sot ose ditën e hënë Artan Koçeku pritet të dalë para gjykatës së Shkodrës ku do të njihet me masën e sigurisë të “arrestit në burg”, që do të kërkojë prokurori i çështjes. Ndërkohë, tashmë, veç akuzës së vrasjes dhe mbajtjes pa lejë të armëve, Koçeku do të përballet dhe me një akuzë tjetër, atë të armëmbajtjes pa lejë, pasi policia i sekuestroi në momentin e arrestimit një pistoletë pa lejë.

“Shqiptarja.com” siguron dosjen e plotë hetimore. Koçeku rezulton autori kryesor i vrasjes së Angjelin Shkambit. Nga dëshmitë e administruara në dosje, del qartë pranimi i autorësisë nga familja Koçeku, e cila, sipas zakonit, ka dërguar lajmëtar tek familja Shkëmbi se gjakun të mos e kërkonin vend tjetër, veçse tek ata.

b.ha./Shqiptarja.com