Dosja e Vettingut - S’deklaroi 100 mln lekë, gjyqtari i lartë Ardian Dvorani: Ishte pakujdesi

5 Shtator 2018, 10:31

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar vendimin për konfirmimin në detyrë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, vendim i cili u komentua nga Partia Demokratike si i njëanshëm. Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli, pas një hetimi të thelluar, ka arritur në konkluzionin se Ardian Dvorani ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, e cila është e justifikuar me burime të ligjshme dhe e bazuar në dokumentacion të plotë ligjor. Po cila ishte pasaktësia në deklarimin e pasurisë që rrezikoi pozitat e gjyqtarit? Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë, në raportin e dorëzuar në Komisionin e Vetingut, ka konstatuar se, Ardian Dvorani, në deklaratën e pasurisë për llogari të procesit të Vetingut, nuk ka deklaruar llogaritë bankare prej 9,975,000 lekësh. Mosdeklarimin e kësaj shume, ILDKPKI e ka konsideruar si deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin. Po ashtu, likuiditetet e padeklaruara i ka konsideruar si fshehje pasurie. Gjatë hetimit administrativ nga KPK, pas informacionit të marrë nga bankat e çdo niveli, ka rezultuar se gjyqtari Dvorani dhe personat e lidhur me të, nuk kanë deklaruar në deklaratën për Vetingun shumat 670,018 lekë, 3,500,000 lekë, 300,000 lekë, 401,025 lekë, 349,666 lekë, 2,000,000 lekë, 2,000,000 lekë etj. Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thotë se këto shuma janë të justifikuara si dhe gjyqtari i ka deklaruar në të gjitha deklarata periodike të dorëzuara në ILDKPKI.

    No videos found.