Dosja Ekskluzive/ Përgjimi i nipit të 'Çipurit', solli zbërthimin e celulës së 'killerave' në Vlorë

15 Dhjetor 2019, 11:34

Një përgjim telefonik, i kryer mes Daut Elmazit, nipit të Armando Sulejmanit (Çipurit) që momentalisht ndodhet në burg dhe Albano Goxhaj, ka sjellë zbërthimin e fijeve të skuadrës 9 anëtarëshe, që në 10 maj 2019, tentoi që qëllojë mbi 6 persona që ndodheshin në kompleksin “Oslo” në Vlorë, ku mes të cilëve ishte dhe Inez Hajrulla.

Elmazi dhe Goxhaj, në këtë atentat ku i plagosur mbeti vetëm një punonjës i bashkisë Vlorë, Dajko Canodemaj, kanë qënë në rolin e vëzhguesit dhe ndihmësit, ndërsa qitësit rezultojnë të jenë Fatmir Hyseni ose Elidon Musaj që siç njihet ndryshe në Vlorë me nofkën “Doqia”, Gentian Dauti (Zoto) dhe Igli Memaj (Sulioti). Të tre këta persona njihen nga policia e Vlorës dhe Tiranës si kontigjentë kriminale, duke ngritur dyshime të forta se veprojnë si vrasës me pagesë në disa qytete të vendit. Fatmir Hyseni, dyshohet se ka qëlluar dhe vrarë Santiago Malkon në Tiranë, mikun e Ervis Martinaj. “Shqiptarja.com” dhe “Report Tv” hedh dritë mbi atë çfarë ndodhi në atentatin e 10 majit 2019 në kompleksin “Oslo” në Vlorë, duke u synuar të asgjësoheshin 6 persona që ndodheshin në tavolinën e lokal “A&B Mazana”. Për këtë ngjarje deri në këto momente janë arrestuar 7 persona, ku dy janë ndaluar në Itali dhe pritet të ekstradohen ndërsa dy të tjerë Fatmir Hyseni dhe një person i nëntë që quhet Serxho Ademi, janë shpallur në kërkim nga policia e Vlorës.Nëntë personat që kanë marë pjesë në atentatin ndaj Hajrulla dhe miqve të tij sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, janë Fatmir Hyseni, “Doqia”, Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit “Çipurit”, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko. Në dosjen hetimore thuhet se:”…Fatmir Hyseni, Gentian Dauti dhe Igli Memaj veprojnë në disa qytete si vrasës me pagesë. Për realizimin e vrasjes, këta persona pasi marrin porosinë, organizohen dhe hyjnë në veprim me Igli Memaj dhe Gentian Dautaj, të cilët pasi mbajnë në vëzhgim për disa ditë personat objekt sulmi dhe pasi studiojnë lëvizjet e tyre, organizojnë vrasjen. Për të kryer vrasjen ata marrin makina të vjedhura nga lidhjet e tyre në zonën e Fushë-Krujës. Pas çdo krimi të kryer, ata e djegin automjetin me qëllim zhdukjen e provave dhe largohen në këmbë ose me automjete të tjera, që i presin në afërsi të vendit ku kanë planifikuar djegies e automjetit…”. Dhe pikërisht e njëjta dinamikë krimi është kryer edhe për rastin e sulmit në kompleksin “Oslo”, ku autorët janë afruar me një automjet të vjedhur nga Anton Fejzo, ndërsa targat AA 424 OP të mjetit “Range Rover” janë vjedhur tek automjeti Benz i Esmeralda Malaj.