Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë "arrest shtëpie" për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vendimi ka qenë i befasishëm dhe larg syrit të medias nga gjyqtarja Liljana Bako, e cila edhe në dhjetor 2017 i bllokoi pasaportën Tahirit dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Ish-ministrin e Brendshëm akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës Shqipëri-Itali me Habilajt, shpërdorim detyre. Këto zhvillime vijnë rreth dy javë pasi Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit.
Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, Prokuroria ka kërkuar "burg pa afat", por Gjykata ka vendosur vetëm "arrest shtëpie". Ministri ndalohet të dalë nga banesa, ndërsa për çdo lëvizje duhet të njoftojë oficerin e policisë gjyqësore. Vendimi është ekzekutuar ditën e sotme. Brenda pesë ditëve lind e drejta e ankimimit si nga prokuroria ashtu edhe pala e pandehur. Javën e ardhshme priten zhvillime interesante lidhur me çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, i cili nga ana tjetër ka paralajmëruar se s'do e pengojë askush të bëjë drejtësi.
Dy oficerë të Policisë Gjyqësore në banesën e Tahirit
Dy oficerë të Policisë Gjyqësore kanë mbërritur në shtëpinë e ish-ministrit të Brendshëm për t'i komunikuar masën e sigurisë. Në atë moment Tahiri shoqërohej nga avokati mbrojtës, Maks Haxhia, i cili pritet të ankimojë këtë vendim në Apelin e Krimeve. Tahiri dhe Haxhia ndodheshin në ambientet e një bar-kafe poshtë pallatit ku banon ish-ministri te "Kodra e Diellit" në kryeqytet.
Dosja 'Habilaj', Gjykata e Krimeve të Rënda vendos 'arrest shtëpie' për Saimir Tahirin
No videos found.