Dosja 'Hajdari', drejt dorëheqjes edhe trupa e re gjykuese, ngec sërish procesi ndaj Haxhisë

3 Shtator 2018, 16:01

Ngec sërish procesi i rigjykimit të Izet Haxhisë pas dorëheqjes së Fatmira Hajdarit. Kjo e fundit ishte në trupën gjykuese bashkë me Shkëlqim Mustafën dhe Andi Civicin.

Por dorëheqja e Fatmira Hajdarit duket se nuk do jetë e fundit. Report Tv ka mësuar se drejt dorëheqies është edhe trupa e re e përbërë nga Valdete Hoxha dhe Genti Shala e Astrit Haxhialushi.

Burime për Report Tv nga Gjykata e Apelit të Tiranës konfirmojnë se gjyqtarja Hoxha dhe dy kolegët e saj kanë kërkuar të dorëhiqen nga ky gjykim. Vendimi, nëse do pranohet apo jo dorëheqja, do të merret brenda datës 15 shtator. 

Ndaj Izet Haxhisë ka një dënim me burgim të përjetshëm si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit 12 shtatorin e 1998. Ish-truproja i Sali Berishës, i cili u ekstradua nga Turqia në maj të këtij viti, pretendon pafajësinë dhe për rrjedhojë kërkon rihapjen e dosjes së bujshme. Edhe pse kërkesa për rigjykim ndodhet tashmë në Gjykatën e Tiranës, Prokuroria ende nuk e ka marrë në pyetje Izet Haxhinë.