Dosja / Ja si biznesmeni Helidon Gjikoka vodhi kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi

7 Prill 2021, 00:16 | Përditesimi: 7 Prill 2021, 00:16

Një ditë zgjohesh dhe mëson se dikush tjetër është bërë pronar i pasurisë tënde. Report Tv dhe Shqiptarja.com, duke iu referuar dosjes penale prej 500 faqesh, sjellin detaje të reja mbi manovrat e biznesmenit Helidon Gjikoka, i cili arriti të përvetësojë kompleksin e njohur turistik “Ambel Beach”, duke e kaluar nga emri i pronarit të vërtetë Ilir Koka në emrin e tij. Për të kaluar në emrin e tij kompleksin me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2, Helidon Gjikoka ka bashkëpunuar me avokatin Artion Kasaj, si dhe me 8 zyrtarë të legalizimeve dhe kadastrës, që të gjithë të pandehur për shpërdorim detyre, falsifikime dhe mashtrim me pasoja të rënda.

Pas hetimeve të thelluara dhe intensive, Prokurori Ervin Karanxha ka konstatuar se Helidon Gjikoka, në vitin 2017, kishte kërkuar legalizimin e pasurisë së tjetrit në emrin e tij, ndërsa në vitin 2018, pra një vit më pas, Gjikoka e kishte marrë me qira të njëjtën pasuri tek pronari Ilir Koka. Ky fakt, sipas Prokurorisë, tregon se Ilir Koka ka qenë pronar i kompleksit, por prona i është vjedhur përmes falsifikimeve nga Helidon Gjikoka në bashkëpunim me avokatit Artion Kasaj, që vepronte në emër të Ilir Kokës. Nëse prona do të ishte e Gjikokës, ky i fundit nuk kishte pse t’ia merrte me qira Kokës.

Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës. Po si arriti Helidon Gjikoka të bëhej pronar i kompleksit turistik të Ilir Kokës?

Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në Greqi, ka autorizuar me prokurë Helidon Gjikokën, të cilin e kishte djalë halle, për të ndërtuar, rrethuar dhe administruar kompleksin “Ambel Beach”, në pronën e tij që i kishte lënë trashëgim babai. Gjikoka i jepte me qira 12 shtëpitë gjatë sezonit turistik, duke i dhënë një tarifë Kokës. Nga shtatori 2017, Ilir Koka ka autorizuar avokatin Ariton Kasajn, për të përfaqësuar interesat e tij me të tretët. Në vijim, avokati Ariton Kasaj ka kryer veprime juridike me Helidon Gjikokën, në emër të Ilir Kokës, sipas prokurorisë, në kundërshtim me vullnetin e Kokës.

Në dosje thuhet se Helidon Gjikoka, në bashkëpunim me avokatin Ariton Kasaj, ka falsifikuar të dhënat e formularit të legalizimit, me qëllim për të marrë pronën e Ilir Kokës. Nga hetimi ka rezultuar, se Gjikoka ka gjetur momentin që Iliri ka qenë me probleme dhe ka vepruar më pas në fshehtësi, për të marrë pronën e Ilirit nëpërmjet falsifikimit të formularëve të legalizimit. Më pas, edhe kontratën e energjisë elektrike, Gjikoka e ka kaluar në emrin e tij.

r.k./Shqiptarja.com