Dosja nr. 978/ Ja bisedat e përgjuara të Ismailajt për blerjen e një televizioni

23 Qershor 2019, 14:37 | Përditesimi i fundit: 2019-06-23 14:39:41

Pas një periudhe 10 vjeçare dalin në sipërfaqe disa nga bisedat e përgjuara, që flasin për biznesmenin Kastriot Ismailaj, lidhjet e tij me politikanë e njerës të biznesit VIP dhe ndikimin apo financimin e parave të shumta në fushatën zgjedhore kur qeverisja mbahej nga PD dhe LSI.

Bëhet fjalë për dosjen me nr.978 e regjistruar në 2009 në prokurorinë e Tiranës, ku objekt i hetimit ka qenë biznesmeni i kompanisë “Adriatik Development Corporatiopn LTD”, Kastriot Ismailaj, që sot po vuan dënimin me 11 vite burgim në burgun e Fierit, dhe ka nxjerrë emra të njohur të politikës dhe gazetarisë.

Disa nga përgjimet ku Ismailaj fliste me Ilir Metën, i cili i kërkonte 200 mijë euro, këshilltarin e tij I.K, Fatos Nanon, dhe shumë biznesmenë të tjerë dhe një gazetar me inicialet A.Zh, “Shqiptarja.com” i botoi dy ditë më parë.

Ndërkohë sot gazeta do vijojë të botojë disa biseda të përgjara që Kastriot Ismailaj i ka bërë me biznesmenin Edi Shimsho, përfaqësuesen e tij, të huaj Rebeka Gaskin Gain, ku flasin për blerjen e një televizioni në Tiranë, dhe përmendin emrin e pronarit të një televizioni dhe president të një ekipi futbolli në Shqipëri me inicialet A.T.