Dosja për tjetërsimin e pronave në Shëngjin, ish-deputeti i PS-së paraqitet në gjyqin paraprak

9 Janar 2020, 13:15

TIRANE- Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka paraditen e sotme është paraqitur në Gjykatën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për seancën paraprake, pasi u mor i pandehur dhe dosja u dërgua në gjykatë. Ish-deputeti i Partisë Socialiste së bashku me 14 persona të tjerë u morën të pandehur në kuadër të dosjes 339/1, si të implikuar në skemën e tjetërsimit të pronave në zonën e “Rranës së Hedhun” në Lezhë.

Ndaj të pandehurve të kësaj dosje dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi kanë ngritur akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.  Mes personave të marrë të pandehur për tjetërsimin e pronave në Lezhë është dhe vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka, Xhevi Ndoka, motra e tij Mimoza Ndoka, si dhe xhaxhai i tij Gjok Ndoka. Po kështu persona të tjerë që janë vënë nën akuzë dhe shumë shpejt pritet të dalin para gjykatës si të pandehur janë dhe Erald Osmaci, Bledar Cara, Bled Ndoka, Lule Zeneli dhe persona të tjerë.