‘Dosja u mbyll’ Prapaskena e arrestimit të Fran Frrokajt

16 Mars 2018, 22:03 | Përditesimi: 16 Mars 2018, 22:03

REPORT TV zbulon detaje të reja nga arrestimi i kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj së bashku me 11 zyrtarë të tjerë të përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave në Shëngjin. Gazetari i Report Tv, Driçim Caka zbuloi në emisionin ‘Repolitix’ të drejtuar nga Denis Minga prapaskenat e arrestimit të kryebashkiakut Frrokaj.

Agjentët i kanë thënë kryetarit të bashkisë Fran Frrokaj që do të vish me ne, pasi do të merresh në pyetje, pra nuk i kanë komunikuar urdhër arrestin. Ai ka kërkuar mbi cfarë baze? Agjentët i kanë thënë mbi të drejtën për të shoqëruar. Është procedurë për të pyetur, do të jeni i lirë më pas” tha gazetari Driçim Caka. Gjithashtu, gazetari i Report Tv ka zbuluar edhe një bisedë të kryebashkiakut me një të afërm të tij pak ditë më parë, ku Frrokaj i thoshte se ‘dosja është mbyllur’.

Në një komunikim që ka pasur para pak ditësh Fran Frrokaj me një afërm të tij,  kryetari ka diskutuar çështjen e hetimit, ndërsa ka thënë ‘mesa di unë është mbyllur’, nuk kanë gjetur gjë’ tha Caka. Hetimet për Frrokaj sipas prokurorisë kanë nisur në muajin shtator të 2017. Skema e përdorur për grabitjen e mijëra hektarë tokë në Shëngjin është përfituar përmes tjetërsimit dhe falsifikimit të dokumenteve, si në Spille pak muaj më parë.