Kolegji i Posaçëm i Apelit 'vulos' fundin e karrierës së Arjana Fullanit në drejtësi, dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë për të shmangur Vetingun dhe refuzoi të punonte në Apel. Karriera nga 1987 si prokurore tek mbarimi i statusit të magjistratit në 2019
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut, ka vendosur sot të përjashtojë përfundimisht nga drejtësia ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, bashkëshorte e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Arjana Fullani u largua nga Gjykata e Lartë në korrik të 2017, për t’i shpëtuar Vetingut, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë pa limit kohor, deri kur të zëvendësohej, siç bëri Ardian Dvorani. Fullanit iu afrua e drejta për të shërbyer në Gjykatën e Apelit pas dorëheqjes nga Gjykata e Lartë, por refuzoi. Pas një sërë procedurash, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në korrik të 2019, vendosi të ndërpresë procesin e Vetingut për Arjana Fullanin dhe ta përjashtojë me 15 vjet nga drejtësia. Fullani kundërshtoi në Kolegj pikërisht përjashtimin, me sa duket për të lënë një shteg për t’u rikthyet kur të përfundojë Vetingu.
Arjana Fullani e ka nisur karrierën në drejtësi që në vitin 1987 si prokurore, për të vijuar më tej si gjyqtare e Tiranës në vitin 1992, më pas gjyqtare e Apelit në Tiranë në vitin 1994, drejtore e Shkollës së Magjistraturës gjatë periudhës 1995-1997, asistente ligjore në Gjykatën e Lartë nga viti 1997 deri në vitin 2000, sërish Drejtore e Shkollës së Magjistraturës nga viti 2000 deri në vitin 2008 dhe në vitin 2008 u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë nga Partia Demokratike në koordinim me Presidentin e atëhershëm Bamir Topi.
Gjatë karrierës 30-vjeçare, zonja Fullani ka pasur dosje të rëndësishme në duart. Në janar të vitit 2012, zonja Fullani ishte pjesë e Kolegjit Penal pranë Gjykatës së Lartë, i cili shpalli të pafajshëm Ilir Metën. Ky i fundit akuzohej për korrupsion nga Prokuroria, e cila kërkonte dy dënimin me dy vite burg. Fullani votoi për pafajësinë e Metës. I vetmi anëtar që votoi ndryshe ishte Ardian Dvorani, i cili u bë objekt i një fushate sulmesh të Metës, deri kur u shkarkua si anëtar i Gjykatës së Lartë disa muaj më parë.