TIRANE - Pas atentatit pesë ditë më parë, te rrethrrotullimi i Shkozetit, prokurorit Arian Ndoja iu gjetët disa dosje në makinë. Duke iu përgjigjur interesit të medias, Ndoja tha se nuk janë dosje të prokurorisë, siç u hodhën dyshime, por dosje të studios ligjore që ai drejton. Ditën e sotme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka kërkuar Prokurores ë Përgjithshme, Arta Marku, të nisë hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, me argumentin se drejtimi i studios ligjore bie në kundërshtim me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Pika 4 e nenit 7 të ligjit për statusin e magjistratëve, parashikon që prokurorit apo gjyqtarit i ndalohet ‘të administrojë, të drejtojë ose të ushtrojë ndikim në shoqëritë tregtare ose fitimprurëse, personalisht ose nëpërmjet përfaqësimit; të zotërojë në mënyrë pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, nëse shoqëria ka fitime ose të mira nga kontratat publike, në përputhje me legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesit në fuqi’.
Më tej, pika 2 e nenit 9, të po këtij ligjit parashikon më tej se “magjistrati ndalohet të përdorë titullin e magjistratit në veprimtaritë jashtë funksionit, si dhe merr masa që palët e treta të mos e përdorin titullin e tij në këto veprimtari”. Madje, sipas ligjit, magjistrati, para se të fillojë kryerjen e një veprimtarie të paguar jashtë funksionit, duhet të njoftojë Këshillin dhe t’i paraqesë dokumentacionin e nevojshëm që përshkruan natyrën dhe kohëzgjatjen e këtyre veprimtarive dhe që vërteton masën e shpërblimit të këtyre veprimtarive.
Ndërkaq, neni 103 i ligjit për statusin e magjistratit, e vlerëson si shkelje displinore jashtë ushtrimit të funksionit “përdorimin e mandatit të magjistratit, me qëllim për të përfituar arritjen e përftimeve të pajustifikuara ose avantazhe për vete ose për të tjerët”.
Neni 105 i ligjit për magjistratët parashikon masat disiplinore. Në varësi të natyrës së shkeljes, masat disiplinore janë pesë: vërejtje konfidenciale, vërejtje publike, ulje e përkohshme e pagës, ulje në detyrë dhe shkarkim nga detyra.
Masa e shkarkimit merret kur prokurori apo gjyqtari kanë kryer një shkelje shumë të rëndë si dhe kur organi procedues çmon se natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes e bëjnë magjistratin të papërshtatshëm ose të padenjë për të ushtruar funksionin e tij.