Drafti i parë i pjesshëm për Kodin Zgjedhor: Donatorët s'mund të fitojnë kontratë publike për 3 vite, s'ka më postera

23 Tetor 2019, 15:10

TIRANE-Report TV zbardhi draftin e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për cështjen e financimit të partive politike dhe barazinë gjinore. Komisioni i Reformës Zgjedhore është i ndarë në tre grupe pune dhe njëri prej tyre po diskuton pikërisht cështjen e financimit të partive politike, teksa drafti paraprak ka dalë në media.

Drafti adreson rekomandimet e ODIHR-it për fushatën zgjedhore, kuotat gjinore, financimin e fushatës, regjistrimin e subjekteve dhe abuzimin e administratës. KQZ-ja do të ndërtojë një portal për denoncime në lidhje me financimet. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin Raport Financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve.

Në darft ndalohen donacionet mbi 30 mijë lekë cash, kur nuk është bërë përmes transaksioneve bankare dhe dënohet me një gjobë të barabartë. Donatorët nuk mund të përfitojnë kontrata publike apo si nënkontraktorë për 3 vite ose në cdo mënyrë tjetër fonde që tejkalojnë 10 mln lekë.

Fondet e marra nga donatorë të ndaluar kalojnë në llogarinë e KQZ-së. Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekë ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin.

Drafti i jep të drejtë KQZ ka të drejtën të verifikojë drejpërdrejtë shpenzimet e fushatës zgjedhore për cdo parti parti politike ose të verifikojë raportin e auditimit. KQZ-ja ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së KQZ-së brenda 15 ditëve nga marrja e saj.

Në rast të mosbashkëpunimit ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumenteve, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja raportohet në prokurori si vepër penale. Megjithatë, në fund të draftit specifikohet se dispozitat e këtij Kodi në lidhje me financimin e zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore humbasin fuqinë juridike ditën e miratimit të ligjit të ri për financimin e partive politike.