Draft-raporti i Venecias: Interpretimi i Presidentit për Gjykatën Kushtetuese, i arsyeshëm! Veprimet e KED, të diskutueshme

7 Mars 2020, 18:17

Komisioni i Venecias ka përgatitur opinion paraprak lidhur me përplasjet mes parlamentit dhe presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Zëri i Amerikës, ka parë dokumentin konfidencial, që u është dorëzuar palëve të interesuara në Shqipëri. Dokumenti është projekt dhe nuk përbën opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Në bazë të opinionit paraprak të ekpertëve ligjorë të Venecias, çështja e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, është një proces tejet i komplikuar, për të cilin ka interpretime të ndryshme.Sipas Komisionit të Venecias mënyra se si është vepruar, ka krijuar "një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.

ROLI I KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI

Në interpretimin e Venecias Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që luan rol kyç për procesin e përzgjedhjees së kandidatëve, ka pasur një sërë mangësish, që nga vonesat, duke mos-funksionuar në vitin 2017 dhe 2018 e deri tek vendimet që Venecia i quan “të diskutueshme” në vitin 2019.

Dy vitet e para 2017/2018 KED "humbi kohë tepër të vlefshme për të shmangur krizën e tanishme kushtetuese". Në vitin 2017 qeveria u ankua se anëtarët e KLD nuk kishin kaluar vetingun, disa anëtarë të KED u dorëhoqën, të tjerë u rrëzuan nga vetingu dhe për pasojë KED në 2017 nuk u mblodh asnjëherë.

Në 2018, KED u mblodh vetëm një herë, pasi përfaqësuesi i parlamentit kërkoi që KED të kufizohej vetëm në vendime adminstrative dhe të mos bënte renditjen e kandidatëve.

Sipas Komisionit të Venecias, "kërkesat e vitit 2017 dhe 2018, që KED të mos bënte renditjen e kandidatëve, nuk janë të bazuara në ligj. Nuk ishte e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në ligj, që anëtarët e KED të kishin kaluar procesin e vetingut", thuhet në opinion paraprak.