Drejtësi për George Floyd, ish-oficeri rrezikon të dënohet me 40 vite burg

21 Prill 2021, 14:18

Fajtor! Ky është ky vendimi i gjykatës amerikane për ish-oficerin e policisë Derek Chauvin, për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd një vit më parë, ngjarje që shkaktoi protesta masive në SHBA dhe jo vetëm.

 “Ne juria, sikundër përmendëm më sipër akuzat për vrasje e paqëllimshme, vrasje e shkallës së dytë, e shpallim të pandehurin fajtor”, u shpreh  Peter Cahill.

Chauvin kishte deklaruar se ishte i pafajshëm, por tanimë pas një seance të gjatë gjyqësore ai përballet me një dënim që mund të shkojë në 40 vite burg, pasi ligji në Minesota, për një person pa të shkuar kriminale, çdo akuzë për vrasje mbart një dënim të prezumuar prej 12 vite dhe 6 muaj, ndërsa një dënim për vrasje pa dashje ka një dënim të prezumuar prej katër vitesh.

Por secila akuzë mbart një dënim të ndryshëm maksimal - 40 vjet për vrasje të paqëllimshme të shkallës së dytë, 25 vjet për vrasje të shkallës së tretë, 10 vjet për vrasje të shkallës së dytë.

Vendimi i jurisë erdhi një ditë pas argumenteve përmbyllëse të hënën, të cilët zgjatën mbi 10 orë në të cilat prokurorët argumentuan se ish-polici i mori jetën George Floyd-it majin e kaluar në një mënyrë që sipas tyre edhe një fëmijë e dinte që ishte e gabuar. Mbrojtja pretendoi se oficeri tanimë i pushuar nga puna veproi në mënyrë të arsyeshme dhe se 46-vjeçari vdiq nga një problem me zemrën dhe konsumimi i lëndëve narkotike.

E në të njëjtin moment kur u dha vendimi jashtë gjykatës, një turmë prej disa qindra njerëzish shpërtheu në brohoritje, si për të shënuar triumfin e drejtësisë. Skena u kthye shpejt festive me makina që u binin borive, demonstrues që bllokonin trafikun dhe brohorisnin "George Floyd".

Në sheshin George Floyd në Mineapolis, kryqëzimi ku u vra ai të cilit më pas iu vu emri për nder të tij, njerëzit brohorisnin dhe duartrokisnin.

Për vendimin ka reaguar edhe presidenti Joe Biden dhe zëvendës presidentja Kamala Harris, të cilët komunikuan me familjen e Floyd.

Zoti Biden, zonja Harris dhe zonja e parë Jill Biden të gjithë folën në telefon me vëllain e George Floyd, Philonise Floyd nga Zyra Ovale, tha Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden tha se racizmi sistematik “është një njollë në shpirtin e vendit tonë”.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, dhe vendimi i sotëm e dërgon këtë mesazh, por nuk është e mjaftueshme. Nuk mund të ndalemi këtu. Për të sjellë ndryshime dhe reforma reale, ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë për të reduktuar gjasat që tragjedi si kjo të ndodhin përsëri”, tha presidenti.

Edhe ish-presidenti Barack Obama dhe Michelle Obama, dërguan një mesazh duke thënë se vendimi i djeshëm ishte një hap përpara por theksuan se drejtësia e vërtetë kërkon shumë më shumë.

Vendimi konsiderohet një fitore për sistemin e drejtësisë, i cili deri tani ka mbështetur dhe mbrojtur oficerët e policisë në të gjitha rastet.