7600 biznese nga data 1 janar e këtij viti nisën zbatimin e sistemit të ri të lëshimit të faturave tatimore, të njohur si fiskalizimi. Subjekte në marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë fatura elektronike, duke përdorur softuerin e instaluar në pajisjen e tyre kompjuterike, telefon apo tabletë. Faturat elektronike do të shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave
“Aktualisht janë 19 subjekte të cilët janë certifikuar për të shitur softuer ndërkohë janë mbi 50 subjekte që janë në faza testimi dhe pritet të certifikohen në një fazë të shkurtër”, deklaron drejtoresha Delina Ibrahimaj.
Për një periudhë tranzitore nuk do të ketë masa ndëshkuese për subjektet që nuk e kanë blerë softuerin dhe se do të kenë mundësinë të përdorin portalin Self Care, nëpërmjet të cilit do të lëshojnë faturat për entet publike. Ndërsa drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj sqaron në Report TV se ky sistem do sjellë eliminim gradual të kasave fiskale aktuale nga tregu.
“Ky është një proces gradual i modernizimit dhe në mënyrë natyral mendoj që kasat do të dalin jashtë funksionimit gjatë viteve në vijim. Ka disa subjekte që po zhvillojnë një server të ndërmjetëm që do të shërbej si urë lidhëse ndërmjet kasave aktuale dhe sistemit të ri të fiskalizimit. Ende nuk ka asnjë server të ndërmjetëm të certifikuar por jemi në dijeni që ka subjekte që po e zhvillojnë këtë si procedurë”, thotë Ibrahimaj.