Drejtori i doganave Bardhi: Shkëmbimet tregtare vijojnë normalisht

17 Prill 2020, 10:11

Doganat shqiptare vijojnë normalisht punën e tyre dhe për të gjitha mallrat ushqimorë dhe medikamentet mjekësore kanë përparësi në përpunim në sportele. Drejtori i doganave Gjon Bardhi theksoi se të gjitha doganat në pikat kufitare punojnë normalisht duke zbatuar dhe masat e ndërmarra pas situatës së krijuar nga COVID-19.

Nisur nga interesi i madh i medias dhe publikut mbi funksionimin e Strukturave Doganore gjatë kësaj periudhe të vështirë që po kalon jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota, ju bëj me dije se në vijim të zbatimit të masave të ndërmarra nga Qeveria për situatën e krijuar nga Covid 19,  Shërbimi Doganor Shqiptar është 24 orë në punë në të gjitha degët, veçanërisht ato kufitare për zbatimin e të gjithave procedurave operacionale. Më lejoni të theksoj, se zinxhiri i shkëmbimeve tregtare import-eksport vijon rregullisht në të gjitha pikat doganore dhe me të gjitha vendet.Gjithashtu ju bëj me dije, se në bazë të VKM nr. 269, “Për miratimin e propozimit të përbashkët të përgatitur nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit dhe Sekretariati i CEFTA-s, për të lehtësuar transportin e mallrave të nevojës së parë brenda Ballkanit Perëndimor”,palët e CEFTA kanë përcaktuar pikat “të gjelbra” prioritare të kalimit kufitar, të cilat për Republikën e Shqipërisë janë degët doganore Durrës, Morinë, Shkodër (Hani i Hotit), Qafë Thanë dhe Kakavijë.