Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela kalon Vettingun, nuk komenton vendimin

5 Shkurt 2019, 09:25 | Përditesimi i fundit: 2019-02-05 14:56:51

TIRANE-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari pasi hetuan dhe shqyrtuan dokumentacionin vlerësuan që Prela e kalon vettingun. Drejtuesja e komanduar e Krimeve të Rënda ishte e pranishme në seancën e sotme. Kryesuesi Roland Ilia u shpreh se vendimi për drejtuesen e Krimeve të Rënda u shty nga data 29 janar kur ishte parashikuar për ditën e sotme për të verifikuar denoncimet në media, referuar akuzave nga Partia Demokratike. Sipas trupës gjykuese, në përfundim të verifikimeve nuk kishte asnjë indicie për të rihapur hetimet duke e konfirmuar kështu në detyrë.

"Pas një denoncimi publik, trupi gjykues njoftoi shtyrjen e seancës për zonjën Prela për ditën e sotme duke konsideruar të nevojshëm verifikimin e këtij denoncimi nëse duhej hapur hetimi. Verifikimet u kryen javën e kaluar dhe çuan në përfundimin se nuk ekziston asnjë indicie që mund të çojë në hapjen e hetimeve. Në datë 4 shkurt trupi gjykues u mblodh për të marrë vendimin për Prelën. Pas hetuam, dëgjuam dhe vlerësuam dokumentet në përfundim e konsiderojmë të përfunduar seancën e rivlerësimit. Donika Prela konfirmohet në detyrë" u shpreh trupi gjykues.