Dreka me Macron, Rama: S’do jem ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, jam palë e përfshirë!

22 Mars 2021, 23:05

TIRANË- Vizita e kryeministrit Edi Rama në Francë erdhi me ftesë të vetë presidentit Emmanuel Macron, në të cilën u diskutuan për investimet e rëndësishme që Franca do të bëjë në Shqipëri, por edhe për zhvillimet në rajon.

Ndalur këtu, ku fokusi është pikërisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Rama e bëri të qartë që ai nuk do të jetë në rolin e ndërmjetësuesit. Kjo sepse sipas Ramës, ai është palë e përfshirë në këtë proces, e ndërsa tha se kjo u takon autoriteteve të Kosovës, që padyshim do të kenë mbështetjen e qeverisë së Shqipërisë. “Qasja për të arritur te qëllimi mund të jetë i ndryshëm, por qëllimi është i njëjtë”, tha Rama referuar 2 qeverive, asaj shqiptare dhe kosovare.

Nga ana tjetër, Rama zbuloi investimet e Francës në vendin tonë që nga projekti për ujësjellësin e Durrësit, për të pasur ujë 24 orë apo edhe investimin në Parkun më të madh Fotovoltaik të rajonit, faktikisht, në Karavasta. Në fokus të bisedës së tyre, ka qenë edhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të cilën Rama ripërsëriti se vendi ynë i ka bërë të gjitha “detyrat e shtëpisë” dhe se gjithçka do varet nga situata brenda për brenda Këshillit Europian dhe nga dinamikat brendapërbrenda vendeve të BE-së

Kujtojmë se takimi i fundit i kryeministrit Rama në Francë daton më 15 maj të vitit 2018-ë.