Dublon institucionet ligjzbatuese/ Ilir Meta promovon nga Durrësi nismën e tij për 'luftën ndaj krimeve zgjedhore': Mediat të kenë kujdes, do japin llogari pas 25 prillit

27 Mars 2021, 15:56

#reportTV #lajmeshqip #lajme Nismën e tij, e cila dublon institucionet që merren me denoncimin dhe hetimet për krimet zgjedhore, Presidenti i vendit Ilir Meta e ka nisur nga Durrësi. Konferencën për shtyp Ilir Meta e filloi me deklarata politike për atë që pritet të ndodhë sipas tij më 25 prill dhe e përfundoi edhe me një mesazh kërcënues për mediat. Presidenti tha se pas 25 prillit vendi do të ecë me shpejtësi pasi këtë do ta garontojë barazia e votës. "Ky është një fillim”, tha ai. Meta i ftoi në aleancë qytetarët të cilët sipas tij duhet të denoncojnë në faqen e presidencës krimet zgjedhore. "Gjithkush mund të denoncojë çdo përpjekje apo veprim që lejon korrupsionin aktiv apo pasiv në zgjedhje, të denoncojë çdo shkelje e të drejtës së zgjedhjes, të denoncojë çdo anëtar i FA apo Policisë së Shtetit që shpërdoron detyrën apo mbështet një forcë të caktuar politike. Meta tha se kushdo që tenton të prekë votën nuk do të ketë shpëtim pasi është armik i republikës së Shqipërisë pasi sipas tij prekja e votës instalon autokracinë dhe minon demokracinë duke përdhosur Kushtetutën, liritë dhe të drejtat e njeriut ku çdo e drejtë buron nga vota e lirë. "Rreziku i shitblerjes së votës është i pranishëm dhe shumë i madh. Ne duhet të denoncojmë hapur dhe pa asnjë hezitim. Për këtë arsye i kam hapur rrugë kësaj nisme për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore", tha Meta Në fund ai pati edhe një kërcënim për mediat, duke i bërë thirrje që sipas tij të të respektojnë qytetarët dhe duhet të japin kontribut për atë që do të vijë nesër. "Është në të mirën e tyre. Të jenë të gjithë në rrethana lehtësuese në procesin e llogaridhënës që do të vijë nesër me hir apo me pahir për shkak të votës së qytetarëve", tha ai.