Duka i beson veteranit Edy Reja pankinën e kombëtares! Kush është pasuesi i Panuccit

15 Prill 2019, 13:45

Edoardo Reja është trajneri i ri i Kombëtares. Mungon vetëm zyrtarizimi që është çështje orësh, por tekniku italo-slloven është i përzgjedhuri i Presidentit të FSHF-së Armand Duka dhe do jetë ai që do zëvendësojë Christian Panuccin.

Burime në FSHF bëjnë me dije për Shqiptarja.com se Duka ka përzgjedhur veteranin Edy Reja dhe është arritur akordi mes palëve. 73 vjeçari do të jetë në drejtimin e Shqipërisë deri në muajin nëntor, pra deri në përfundimin e fushatës kualifikuese të “Euro 2020” dhe në varësi të rezultateve është i hapur opsioni për rinovimin e kontratës. Po të njëjtat burime në institucionin që menaxhon futbollin shqiptar zbulojnë se gjatë kësaj jave Edy Reja do prezantohet edhe zyrtarisht dhe diçka e tillë mund të bëhet edhe që nesër.

Në përfundim të Asamblesë së Zakonshme të FSHF-së Presidenti Duka nuk e zyrtarizoi emrin e Edy Rejas por u mjaftua duke thënë se brenda javës do jetë i plotësuar stafi i ekipit Kombëtar. Që pas shkarkimit të Christian Panuccit pas humbjes me Turqinë në Shkodër ish-trajneri i Lazios ka qenë kandidati më favorit. Reja ishte në Shkodër dhe ndoqi nga afër ndeshjen e kuqezinjve për të parë tre lojtarë në rolin e menaxherit. Që aty, Reja pati kontaktin e parë me Presidentin Duka.

Edoardo Reja është një nga trajnerët më të njohur në Itali ku ka drejtuar skuadra si Napoli, Lazio dhe Atalanta. Që prej sezonit 2015-2016 ai nuk është ulur më në pankinë, por është marrë me menaxhimin e lojtarëve. Mes disa kandidatëve, Armand Duka i ka besuar eksperiencës së italo-sllovenit. Debutimin në pankinën e Kombëtares, Reja dhe stafi i ri do ta bëjnë më 8 qershor ndaj Islandës ndërsa tre ditë më vonë Shqipëria do të presë Moldavinë për ndeshjet e vlefshme të grupit H kualifikues ku objektivi është arritja në dy vendet e para për të siguruar Europianin për herë të dytë në histori.