Duma në Report Tv: Shqipëria s'e meritonte hapjen e negociatave, opozita nuk mban asnjë përgjegjësi

21 Tetor 2019, 22:39

TIRANË-Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma tha se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për vendimin negativ të Bashkimit Europian! Për të, fajtor kryesor është kryeministri Edi Rama. Në studion e emisionit "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, Duma argumentoi qëndrimin e saj se opozita ia la të gjitha pushtetet Edi Ramës, por megjithatë ky i fundit dështoi krejtësisht, ç'ka ka sjellë sipas saj edhe "JO-në" e BE.

"Opozita nuk mban përgjegjësi, ia la të gjitha pushtetet Ramës dhe doli në rrugë, por BE i tha për të gjashtën herë zgjidhje", u shpreh Duma. Përballë gazetarit Ilir Babaramo, për Dumën Shqipëria nuk e ka merituar hapjen e negociatave, sepse sipas saj vendi ynë renditet i fundit në Ballkanin Perëndimor për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe se vendimi i BE-së ishte një ndëshkim për këtë aspekt, por jo vetëm.

 

 

"Shqipëria nuk meritonte hapjen e negociatave. Unë e kam deklaruar dhe paralajmëruar disa here para vendimit. Ne jemi vendi i fundit në Ballkan përsa i përket indikatorëve të zhvillimit. Dhe Rama ka pasur një plan B, ai nuk kishte plan A pasi negociatat nuk do hapeshin. BE-ja na ndërshkoi, shyqyr së nuk u ndamë nga Maqedoninë e Veriut, fatkeqësi që penalizuam Maqedoninë e Veriut", shtoi Duma.

Duke folur me gjuhën teknike, si një ish-zv.ministre e Integrimit, u ndal të komentonte se përse Komisioni Europian në raportin e saj vlerësonte përparimin e Shqipërisë, por më pas Këshilli Europian mori një vendim negativ. Për të, progres-raporti flet me gjuhën teknike, e ndërsa Këshilli shikon edhe rolin e politikës në këto vendime, për këtë arsye është caktuar që vendimi të merret nga ky i fundit, edhe pse për këtë të fundit ka pasur kritika për burokracinë që e karakterizon.

"Nga pikëpamja e zgjerimit, progres-raportet  janë shumë të vlefshme, por janë të intepretueshëm nga mënyrat më të ndryshme. Këshilli është tjetër, progres-raporti tjetër. Progres-raporti nuk pasqyron pikëpamjet politike. Komisioni Europian është shumë teknik dhe ndërsa Këshilli Europian politik, jo më kot e merr Këshilli. Administrata e BE-së është shumë burokratike, e kam thënë sa 3- fishi i DASH", përfundoi ajo në Report Tv.

    No videos found.