Durrës/ Adoleshenti qëllon me armë në ajër në oborrin e shkollës, nxënësit vazhdojnë 'festën'

31 Maj 2019, 19:10

Një gjimnazist ka qëlluar me armë në ambientet e shkollës ndërsa në oborr ndodheshin të gjithë nxënësit. Rasti është denoncuar nga ish-kryeministri Sali Berisha në rrjetin social Facebook, ku ka publikuar një video nga ky moment. Djali i ri nxjerr armën nga çanta dhe qëllon një herë në ajër në oborrin e gjimnazit "Naim Frashëri" në qytetin e Durrësit. Në oborrin e shkollës dëgjohet të jetë muzikë e lartë, në një aktivitet festiv, pasi në momentin që qëllon në ajër me armë, asnjë nga nxënësit e tjerë nuk reagon.

Berisha pretendon se policia e ka fshehur ngjarjen.

Shqiptarja.com kontaktoi me policinë e Durrësit të cilët thanë se pas publikimit të videos kanë nisur verifikimet mbi atë se cfarë ka ndodhur në gjimnazin "Naim Frashëri", pasi për këtë ngjarje nuk ka pasur denoncim. Pritet të mësohet se për cfarë arme bëhet fjalë apo nëse e gjitha mund të jetë ndonjë lojë e adoleshentit me pistoletë me ajër.