Durrës- Banorët refuzojnë të aplikojnë on-line: Pallatit t'i bëhet vlerësim të thelluar

21 Shkurt 2020, 18:35

DURRËS- Banorët e pallatit nr. 8 në lagjen 5 të qytetit të Durrësit refuzojnë të aplikojnë online në zyrat e Bashkisë së Durrësit , pasi sipas tyre pallati nuk është klasifikuar në shkallën e duhur sipas dëmtimit të ka. Kur kanë mbetur vetëm një javë nga afati për të aplikuar online, banorët kanë dalë në protestë ditën e sotme ku kërkojnë vlerësim të thelluar.

"Pallatin e kanë caktuar DS2, kur ai është DS5. Kur 6 katet e pallatit kanë çeduar me 42 cm, ne kërkojmë që të kalojë DS5 sa më shpejt që të bëjmë dhe aplikimin", tha një banor.

Po dëm të lehtë thonë DS2, ndërkohë që duhet të jetë pallati DS5", tha një tjetër.

"Ne kemi dalë nga ai pallat, kërkojmë që shteti të vendosë për atë pallat nëse do të rregullohet apo do të shembet", u shpreh banori.

Lidhur me shqetësimin e banorëve ka reaguar dhe bashkia e Durrësit e cila konfirmon se pallati do të verifikohet në mënyrë të thelluar nga instituti i ndërtimit, teksa fton banorët që të aplikojnë on-line që të mos kalojnë afatin, 29 shkurt pasi në të kundërtën do e kenë të pamundur.

"Në lidhje me protestën e qytetarëve të pallatit në lagjen 5 njoftojmë se ky pallat është dërguar për ekspertizë të thelluar në institutin e ndërtimit, por gjithsesi qytetarët duhet të aplikojnë për të përfituar nga programi i rindërtimit për të mos humbur këtë mundësi duke qenë se afati i aplikimit përfundon në 29 shkurt. Procesi i ekspertizës së thelluar është ai që vendos çfarë do të behet me godinën", njofton Bashkia.