Durrës/ Nxënësit dhe mësuesit rikthehen në shkollën e rindërtuar “Bedrie Bebeziqi”

30 Prill 2021, 09:05

Fëmijët dhe mësuesit rikthehen në shkollën e rindërtuar “Bedrie Bebeziqi”, në Durrës.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ambientet e shkollës së rindërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Fëmijët e mësuesit rikthehen në shkollën e rindërtuar “Bedrie Bebeziqi”, teksa puna që vazhdon në qytet do të marrë një hov të madh në vitet që kemi përpara”, deklaroi Rama.

Teksa ndau edhe tortën e përurimit të shkollës, Kryeministri tha se, “na akuzojnë se kemi përdorur rindërtimin për fushatë, por në fakt kemi përfunduar 12 shkolla në kuadër të procesit të rindërtimit përgjatë këtij muaji”.

“Ne na akuzojnë që i përdorim për fushatë, por s’i paskemi përdorur. Janë 12 shkolla të përfunduara”, tha Rama.

“Ngushëllime për humbjen, por Shqipëria fitoi. Po fitoi Shqipëria, fituat edhe ju”, iu drejtua Rama njërit prej anëtarëve të stafit.

Shkolla 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” në Durrës ka rilindur për 450 nxënës dhe mësuesit e tyre, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane.

Shkolla ka 12 klasa, 4 laboratorë. Klasat janë të gjitha me dritë natyrale të pozicionuara nga jugu. Objekti ngrihet në 4 dhe 5 kate dhe në këtë drejtim kemi ruajtur projektin e objektit ekzistues.

Në kuadër të programit të rindërtimit, 143 shkolla të reja me standarde europiane, do të jenë gati brenda vitit 2021.

Rama inspektoi edhe rehabilitimin e rrugës “Egnatia”.