Durrës, policia arreston autorin e grabitjes së argjendarisë, mori 2 kg flori me vlerë 5.6 milionë lekë

4 Gusht 2018, 10:13 | Përditesimi i fundit: 2018-08-04 11:36:37

Një 22-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit pasi dyshohet se ka grabitur 2 kilogramë flori me dhunë në një argjendari në qytetin bregdetar. Robert Hasmuça, 22, vjeç, banues në Tiranë në bashkëpunim me një shtetas tjetër kanë marrë sasinë prej 2 kilogramë flori me vlerë 5.6 milionë lekë. Ngjarja ka ndodhur në 18 prill, 2018.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet me sukses operacioni i koduar 
"Argjendaria " .

Operacioni me metoda speciale të hetimit.

Vihet në pranga autori nga Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës autori i dyshuar i vjedhjes me dhunë të një argjendarie në bulevard kryesor, në vlerën rreth 5.6 milionë lekë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës pas një pune hetimore të specializuar dhe bazuar në prova shkencore kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes së argjendarisë në bulevard më datë 18.04.2018.

Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë finalizuar operacionin e koduar" Argjendaria", operacion i ndjekur me metoda speciale ku në një zonë të Tiranës kanë kapur dhe ndaluar autorin e dyshuar, shtetasin: 

• Robert Hasmuça 22 vjeç, banues në Tiranë.

Uniformat blu kanë ekzekutuar masën e sigurisë "Arrest me burg" të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës , Vendim Nr.216, datë 20.06.2018 në ngarkim të shtetasit Hasmuça, i cili në bashkëpunim me një shtetas tjetër ( vijon puna për identifikimin e plotë të tij), në lagjen Nr.4 kanë vjedhur me dhunë një argjendari ku kanë marrë rreth 2 kg flori me vlerë rreth 5.6 milionë lekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Vjedhja me dhunë " në bashkëpunim parashikuar në nenin 139, 25 të Kodit Penal.