Fillimi i punimeve për Rrugën e Arbrit i dha menjëherë frytet për mazhorancën socialiste.
Kur deputetja e PDIU-së Reme Lala hipi në foltoren e aktivitetit qeveritar, fillimisht dëshmoi se gjakrat e nxehura e të shpërndara brenda mureve konfliktuale të Bashkisë Dibër në 2 shkurt të këtij viti, në konfliktin PS-PDIU ishin pastruar. Siç deputetja më e re parlamentit rrëfeu më pas, Edi Rama ishte arsyeja që ajo kishte shpëtuar mandatin.
“Ju pata thënë se unë do ta digjja mandatin nëse nuk bëhej rruga e Arbrit. Faleminderit që ma shpëtove mandatin, z. Edi Rama e nuk u bëre si besa e prerë e burrave të Dibrës në Tiranë”. -u shpreh ajo.
Por nuk ishte kjo surpriza e parë apo e fundit. Reme Lala tha se tashmë kishte vendosur të bashkohej me më të mirët.
“Unë ju kam thënë se nuk kam parti, e se partia ime është Dibra. Por sot unë dua të bashkohem me më të mirët. Unë dua të jem pjesë e Partisë Socialiste”.
Por Reme Lala nuk kishte ardhur vetëm pranë Edi Ramës të cilit menjëherë i drejtohet si “kryetar”.
“Zoti kryetar, unë nuk kam ardhur vetëm, kam ardhur edhe me një zonjë tjetër të nderuar, e cila do një të ardhme më të mirë për vendlindjen e saj. Edhe ajo do të bashkohet me më të mirët. Ajo është Elena Xhina”.
Edi Rama nuk i kushtoi asnjë rresht nga fjalimi i tij mbi 30 minuta këtyre dy prurjeve të reja, por në fund përcolli mesazhin e bashkimit.