Dy gra u futën në tempullin e ndaluar, shpërthejnë protestat e dhunshme në Indi

3 Janar 2019, 17:18

Një protestë e dhunshme ka shpërthyer dje në jugun e Indisë, pasi dy gra të veshura me të zeza arritën të futeshin në një nga tempujt më të vjetër të vendit, ku nuk lejohen gra të moshës 10-50 vjeç.  Kjo protestë ka sjellë për pasojë një të vdekur, 15 të tjerë të plagosur, mbylljen e shumë shkollave si dhe pezullimin e përkohshëm të transportit publik.

Gratë “ e moshës së menstruacioneve”-të përcaktuara si ato të moshës midis 10-50 vjeç- janë ndaluar për t’u lutur në tempullin “Sabarimala” në Kerala që nga viti 1972. E pikërisht për këtë arsye, gratë në fjalë vendosën që të shkelnin në të.

Përpjekjet e këtyre grave për të kundërshtuar ligjet e pashkruara që aplikohen në tempullin e shenjtë, janë kundërshtuar nga protestuesit, të cilët ndër të tjera kanë djegur edhe një pankartë të madhe ku gjendet fotografia e guvernatorit të Kerala-s. Sipas mediave botërore, turma i është vërsulur edhe policëve.

Policia u ka siguruar mbrojtje dy grave, Bindu Amminit (40 vjeç) dhe Kanaka Durgas (39 vjeç), ndërsa ka arrestuar një numër të konsiderueshëm protestuesish.