Janë dy misteret që duhet të sqarohen e që lidhen me seancën e zhvilluar dje në Përmet, në përfundim të së cilës gjyqtari Dritan Hasani liroi pronarin e universitetit UET, Henri Çili, të akuzuar për gjashtë vepra penale. Misteri i parë ka të bëjë me prokurorin e çështjes, Asllan Bajramaj, i cili çuditërisht zhduku në kërkesën që i bëri Gjykatës një nga provat kryesore të siguruara kundër Henri Çilit. Fjala është për takimin e zhvilluar më 14 janar 2020 në Hotel Tirana mes Henri Çilit dhe “një drejtuesi të një organi të lartë të drejtësisë”, të cilin e përmend vetë prokurori në kërkesën, me të cilën më 27 shkurt i kërkon leje Gjykatës së Përmetit të ushtrojë kontroll ndër të tjera edhe në zyrën e Henri Çilit. Sikurse shkruan prokurori, “ndërhyrjet e shtetasit Henri Çili tek funksionarë të sistemit të drejtësisë, rezultojnë nga përmbajtja e bisedës së datës 14.01.2020 të zhvilluar në ambientet e International Tirana Hotel, ku një drejtuesi të një organi të lartë të drejësisë, i është kërkuar që të ndikojë që kërkesat e të dënuarve për të cilët ai ka ndërhyrë të bëheshin sa më shpejt. Nga ana e këtij funksionari ka marrë përgjigje që do të ishin në 50 të parat. Pas këtij takimi, shtetasi Henri Çili ka marrë në telefon kunatin Gazmir Hajdani dhe i ka thënë që çdo gjë është ok”.