Dy muaj nga tërmeti/ Banorët ende pa një strehë! I moshuari: Gruan e kam të sëmurë, nuk qëndron dot në çadër

25 Janar 2020, 22:08

Kanë kaluar 2 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit i cili la pas viktima, qindra të plagosur dhe ndërtesa të shkatërruara. Për banorët e prekur nga tërmeti duket sikur drama nuk  mbaron, ka ende nga ata të cilët vijojnë të qëndrojnë mes të ftohtit në çadra.

Një ndër to është edhe familja e Frrok Dodës nga fshati Bubq i Fushë-Krujës, dy të moshuarit janë strehuar në një çadër verore, ku i ftohti futet në të katërta anët. Kryefamiljari thotë që ka bashkëshorten të sëmurë dhe në këto kushte jetesa në çadër është akoma më e vështirë.

Këtu banoj në çadër, por kam dhe gruan sëmurë dhe ajo është në rrezik. Çfarë të bëj unë në këtë çadër, kjo është për verë jo për dimër. Erdhën ekspertë shikuan shtëpinë dhe na thanë këtu nuk banohet", tha i moshuari

Fshati i Bubqit ka qënë dhe një ndër zonat më të prekura nga tërmeti, rreth 270 banesa janë shpallur të pabanueshme. Banorët qëndrojnë ende në çadra pasi nuk mund të largohen nga fshati ku kanë edhe bagëtitë.