TIRANE -Landi Muharremi, personi që ishte me prokurorin Arjan Ndoja në makinë ku ju bë atentat pasditen e djeshme, është një emër i përmendur nga politika. Në 28 tetor të 2018-ës, lideri demokrat Lulzim Basha, në një takim në Manzë, e ka përmendur Muharremin përmes pseudonimit të tij, "Rrumi", ku thotë se ka ushtruar presion dhe frikë në zonën e Sukthit. Kryedemokrati Basha e cilëson "Rrumin" ushtarë të Vangjush Dakos, ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, sipas të cilit, Landi Muharremi "ka bërë kërdinë për zgjedhjet", duke nënkuptuar presionet për votat në favor të Partisë Socialiste.
“Sepse vendi nuk qeveriset nga një qeveri e dalë nga vota juaj. Vendi nuk qeveriset nga një qeveri e zgjedhur me votën e popullit. Kur vjen në pushtet me kërcënimet e Rrumit, Rrumi e ka ky që bënte kërdinë për zgjedhje? Ushtari i “Xhuxhit”, është në Sukth? Mirë, dakord. Pra, kur vjen në pushtet mbi zullumet e Rrumit e të Gjush Dakos, mendjen e ke të punosh për Rrumin e për Gjush Dakon e për bandat e tjera të Durrësit e të Shijakut. Nuk të shkon në mendje për njerëzit e thjeshtë, për hallexhinjtë, për fermerët, për të papunët, për rininë. I vetmi shqetësim i një qeverie të dalë nga krimi dhe jo nga vota e qytetarëve është si të vazhdojë të mbrojë krimin e të bëjë biznes me krimin”, shprehej Basha në tetor të 2018-ës në Manzë.