Dy viktima nga atentati në Kurbin! Njëri nga autorët në spital! Shënjestra mik i Ervis Martinajt

31 Maj 2020, 13:11 | Përditesimi i fundit: 2020-05-31 14:02:24

TIRANE-Rëndohet bilanci i atentatit mbrëmjen e djeshme në Kurbin, ndërsa Report Tv zbardh dinamikën e plotë të ngjarjes së rëndë. Bujar Lika (Hasani) vdiq në vend nga plumbat, ndërsa njëri nga dy të plagosurit ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë disa orë pasi u transportua. 53-vjeçari Paulin Gjergji nuk ka mundur që t'u rezistojë plagëve që mori nga plumbat duke ndërruar jetë pavarësisht tentativave të mjekëve. Ndërkohë që i plagosuri tjetër që ndodhet në spitalin e Traumës, Kreshnik Tusha është njëri nga autorët e atentatit. Dinamika e atentatit Mbrëmjen e djeshme në ambientin e jashtëm të një hoteli në aksin rrugor Laç-Mamurras afër kryqëzimit të fshatit Gjormë u qëlluan me armë zjarri Bujar Lika (Hasani) 37-vjeç, që dyshohet se ishte shënjestra, ndërsa të plagosur mbetën Kreshnik Tusha 21 vjeç dhe Paulin Gjergji 53 vjeç, që ndërroi jetë disa orë më vonë te 'Trauma' në Tiranë. Por si ndodhi ngjarja? Bujar Lika dhe Paulin Gjergji që humbën jetën nga atentati kanë qenë bashkë ulur në lokal në momentin kur Kreshnik Tusha dhe një person tjetër ende i paidentifikuar qëlluan 5 herë me armë zjarri automatik. Nga plumbat humbi jetën në vend Lika dhe mbeti i plagosur Gjergji, që ndërroi jetë më pas në spital në Tiranë disa orë pas atentatit. Në total autorët kanë qëlluar 5 herë me automatik, ndërsa kundërpërgjigja nuk ka munguar, pasi ka pasur shkëmbim zjarri. Bujar Lika duket se i trembej një ngjarje të tillë dhe ishte i përgatitur, pasi kishte një pistoletë me vete dhe ka qëlluar në drejtim të Kreshnik Tushës, kur ky i fundit hapi zjarr duke e plagosur. Kreshnik Tusha nga Laçi është i papunë dhe dyshohet se është vrasës me pagesë. Mbi 20 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen janë shoqëruar në komisariat, ndërsa pista e hetimit është e shkuara e Likës.