Dyer të bëra shoshë nga plumbat, Report TV LIVE nga Elbasani! Fqinja: Lefter Zhidru bënte sherre

25 Shtator 2020, 13:07 | Përditesimi i fundit: 2020-09-25 13:14:38

ELBASAN- Në çdo cep të pallatit në lagjen 11 "Nëntori" ka gjurmë të ngjarjes tragjike që u regjistrua dje në qytetin e Elbasanit, ku 71-vjeçari Lefter Zhidru hapi zjarr kundër policisë. Report Tv pas transmetimit "live" gjatë gjithë ditës së djeshme, është zhvendosur sërish sot në banesën e Zhidrus, ku ajo çfarë ka mbetur janë shenjat e plumbave në muret e pallatit, dyer të shkatërruara dhe banorë të tronditur!

Fqinjët janë protagonistë të ditës së sotme, të cilët me dëshmitë e tyre kanë zbuluar më tepër. Për banorët e pallatit, Zhidru ishte një njeri problematik, ku herë pas herë bënte sherr me djemtë e pallatit, madje ndaj tij ka pasur herë pas here denoncimi në polici. Sa i përket ish- gruas dhe vajzës, fqinja tregon se dilnin shumë pak nga shtëpia, e për pasojë i njihnin shumë pak. 

"Kush e di sa herë kemi çuar denoncim në polici. Kjo është bashkëshortja e tretë më duket, s’e di.  Nuk hapej dera fare, ato rrinin brenda. Gjatë pandemisë bënte sherre gjithmonë. Dilnin çunat luanin domino, ai shaj e bërtit. Unë qëndrova brenda në banesë se kisha dy pleq. Kemi ndenjur deri në darkë sa mbaroi punë policia. E njihja si komshi", tha fqinja.

Pas 5 orësh negociata, forcat RENEA ekzekutuan 71-vjeçarin. Për fqinjin, një fund i tillë ishte i pritshëm duke parë se si kishte shkuar e gjithë rrjedha e ngjarjes, e aq më tepër pasi ishte vënë në rrezik jeta e banorëve. 

"Besoj se edhe gruaja duhet te kishte diçka, duhet të ishte më afër të kërkonte më tepër ndihmë mos të arrish deri këtu se sherri mund të përfundojë në tragjedi, kjo dihet. Ai ka qenë qiraxhi ka ardhur nga Saranda, nuk kemi pasur një shqetësim, brenda hyrjes mund të ketë pasur problemet e tona, nuk ishin të mira këto gjëra. Qe shumë e trishtueshme, e frikshme, nuk duhet të ndodhte kështu, një fund i tillë do ndodhte ashtu si po vazhdonin negociatat se nuk mund të rrezikonim jetën e njerëzve, kjo është. U bënë të gjitha negociatat, përfundimi aty do dilte, nuk kishte zgjidhje tjetër, se nuk ishte një shtëpi përdhese dhe do bëhej diçka, ishte në pallat, rrezikonin jetën e banorëve. Rendi dhe sigurua nuk është e keqe në Elbasan, por duhet punuar, të gjitha ndodhin nga fukarallëku. Kur qëlloi në drejtim të qytetarëve ishte e papranueshme, ne u tërhoqëm", tha një tjetër fqinj.