E ardhmja e lumit të egër të Evropës vazhdon të mbetet pezull

11 Mars 2021, 20:32 | Përditesimi i fundit: 2021-03-11 20:36:58

Vjosa, lumi më i madh i egër i Evropës, ende përballet me rrezikun e tij më të madh, për shkak të pasigurisë politike dhe lakmisë oportuniste. Përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri, qytetarët, aktivistët dhe konservatorët po kërkojnë mbështetje politike për krijimin e parkut të parë kombëtar të lumit të egër në Evropë, për ta mbrojtur atë përgjithmonë.

Si pjesë e këtij aksioni, sot lançohet filmi “Vjosa Përgjithmonë”, një dokumentar i shkurtër që kërkon nga njerëzit në mbarë botën të bashkohen në luftën për të siguruar të ardhmen e Vjosës.

Për më shumë se 10 vjet, aktivistë vendas, grupe ndërkombëtare, shkencëtarë dhe artistë kanë luftuar kundër ‘cunamit’ të projekteve të hidrocentraleve në Ballkan. Në shtator të vitit 2020, politikanët shqiptarë njoftuan publikisht krijimin e parkut kombëtar të Vjosës, i cili do të mbronte të gjithë luginën bashkë me degët e saj. Sidoqoftë, që nga ajo kohë, qytetarët dhe aktivistët lokalë janë alarmuar gjithnjë e më shumë se, prapa dyerve të mbyllura, po bëhen kompromise dhe në fakt, lumi është në rrezik të vazhdueshëm.

Me zgjedhjet kombëtare në 25 Prill 2021, grupet shqiptare dhe ndërkombëtare të ruajtjes së natyrës si EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur po i bëjnë thirrje politikanëve dhe publikut që të sigurojnë të ardhmen e Vjosës dhe ta bëjnë këtë park kombëtar të lumit të egër një përparësi kryesore për çdo parti fituese. Kërkimet e fundit tregojnë se 94 % e popullit shqiptar është pro krijimit të këtij parku kombëtar të lumit të egër.