E bujshme! Skënder Gega largohet nga Partizani pasi fitoi titullin kampion

1 Qershor 2019, 22:28

Skënder Gega largohet nga drejtimi i Partizanit.  Ekipi i kuq dhe Gega kanë ndërprerë bashkëpunimin pas fitimit të titullit kampion, ndërsa ende nuk dihen arsyet.

Trajneri tropojan me 21 janar të këtij viti hodhi të zezën mbi të bardhë, duke zgjatur kontratën deri në qershor të 2020, por pavarësisht këtij fakti 'martesa' mes palëve ka përfunduar. Nën drejtimin e Gegës Partizani i dha fund thatësirës 26-vjeçare pa titull, ndërsa sezonin e përfundoi me 70 pikë, 11 më shumë se Kukësu ndjekës.

Njoftimi i Partizanit: 

Klubi i Futbollit Partizani falenderon trajnerin Skënder Gega për arritjen e fitimit të titullit të 16 Kampion të Shqipërisë, i cili u rikthye në shtëpi pas 26 vitesh. Trajneri Gega ka një meritë të padiskutueshme në arritjen e këtij suksesi fantastik. Falë kontributit, punës, sakrificës, përkushtimit dhe disiplinës, Gega arriti të krijonte një grup triumfues, duke fituar respektin e lojtarëve, stafit drejtuesve dhe tifozëve të shumtë të Partizanit. Klubi saktëson se për arsyet e tij personale, trajneri Gega ka vendosur të ndërpresë me mirkuptim kontratën mes dy palëve, për të mos vijuar të jetë në drejtimin e ekipit edhe në sezonin e ardhshëm. Presidenti Gazment Demi dhe Drejtori Olsi Rama dëshirojnë të falënderojnë trajnerin Skënder Gega, i cili pas suksesit si lojtar, arriti ti dhuroj klubit një tjetër trofe kampioni edhe si trajner i Partizanit. Klubi falënderon trajnerin Skënder Gega për emocionet dhe performancën e shkëlqyer që ekipi rregjistroi në drejtim e tij.

Ndërkohë vetë trajneri nëpërmjet faqes së klubit ka deklaruar:

Prej një viti pata nderin dhe privilegjin të drejtoj Partizanin, ekipin ku unë fillova dhe e mbylla karrierën si futbollist. Këtë sezon në krye të pankinës të ekipit Partizani ka qenë periudha më e bukur që unë kam përjetuar si trainer, e mbushur me plot emocione dhe kënaqësi. Mbas 26 vitesh ja arritëm të rikthejmë trofeun kaq të munguar.
Për arsye personale kam vendosur të mos të jem më në krye të pankinës. 
Dua të falenderoj: 
Klubin Partizani, 
Presidentin Demi për besimin dhe mbështetjen e tij gjatë gjithë kohës. 
Drejtorin Olsi Rama për bashkëpunimin.
Të gjithë stafin, ekipin për punën dhe mbështetjen, për kënaqësin që më dhuruan.
Tifozët e mrekullueshem të Partizanit për mbështetjen.
Gjithashtu dua të falënderoj mediat dhe gazetarët sportiv.
Ju uroj të gjithë kolegëve të mi trainer suksese !
Me shume respekt 
Skënder Gega