E groposi në arën me hashash, dënohet me 20 vite për ekzekutimin e të kërkuarit për vrasje

16 Janar 2020, 12:51

Vrasja me një plumb të vetëm pushke dhe më pas groposja e trupit të Elion Hysës në korrik të 2018, në një parcele të mbjellë me hashash në zonën e Fushë-Krujës, ka sjellë dënimin e njërit prej dy autorëve të këtij krimi të rëndë. Hysni Rama, i cili pas krimit të rëndë është vetëdorëzuar në policinë e Krujës, është dënuar me 30 vite burgim nga Gjykata e Krujës. Por për shkak se Rama ka pranuar pjesëmarjen në krim dhe groposjen e Elion Hysës në arën e mbjellë me hashash, duke hyrë në këtë gjykim me procedurë të shkurtuar, dënimi prej 30 vite burg, është ulur nga gjykata në një dënim përfundimtar prej 20 vite heqje lirie. Shkak i kësaj vrasje kanë qenë disa borxhe financiare dhe humbja e 50 kg hashash. Ndërkohë, Agron Tufa, i akuzuari si autori kryesor i vrasjes së Elion Hysës ose siç njihet në zonë si “Piku Fajdexhiu”, vijon të gjykohet në mungesë, për shkak se është larguar në Greqi, duke mos u arrestuar ende. Sipas dosjes së prokurorisë, Hysa u qëllua me një plumb në kokë, pas debateve të ashpra me dy autorëve të krimit Hysni Rama dhe Agron Tufa, për punën e borgjeve financiare dhe hashashit.

“Shqiptarja.com” zbardh sot të plotë dinamikën e borxhit që Rama i kishte Hysës dhe dinamikën e vrasjes së këtij të fundi, brenda një parcele të mbjellë me hashash. Viktima ishte në kërkim policor për vrasjen e Edmond Theodhorit në Sarandë, por qëndronte i lirë dhe pa u shqetësuar nga askush, në zonën e Laçit, Fushë-Krujës dhe Tiranës.