'E kemi heq pak frikën, jemi në punë'! Durrsakët dhe kryeqytetasit kthehen në shtëpi pas tërmetit

1 Dhjetor 2019, 18:07 | Përditesimi i fundit: 2019-12-01 18:22:22

Mijëra qytetarë të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të strehuar në Kosovë pas tërmetit po rikthen në Shqipëri përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës. Ata shprehen se shkak i kthimit ka të bëje me punën dhe vlerësimin e dëmeve në banesat e tyre, por edhe se e kanë hequr pak frikën që i kapi. 

Po kthehemi tani e inshallah ka mbarur pak. E kemi heq pak frikën, por prapë frikë është. Po kthehemi se edhe prej merakut. Dy ditë qëndruam. Do shohim gjendjen. Po ashtu do kthehemi prapë. Nuk dimë as vetë çfarë me tregu. Janë fatkeqësi të Zotit.  Po kthehemi sepse duhet me pa gjendjen. Vajzën e kam në punë dhe duhet që nesër të paraqitet në punë. Tërmeti vazhdon pambarimisht”.

Në pikën e kalimit kufitar të Morinës ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, i cili tha se pas 26 nëntorit në Kosovë kanë hyrë 17 mijë e 500 qytetarë të zonave të prekura nga tërmeti.

"Në Kosovë kanë ardhur tre kategori qytetarësh. Një pjesë i janë drejtuar qendrave mikpritëse. Një pjesë tek të afërmit, Ndërsa një pjesë kanë ardhur vetë këtu dhe janë strehuar në hotele. Kanë hyrë 17 mijë e 500 qytetarë. Një pjesë e tyre janë kthyer përsëri' tha ai.  Vetëm të premten dhe të shtunën janë kthyer në Shqipëri 7800 qytetarë të zonave të Durrësit,Thumanës dhe Tiranës.

Fluksi i kthimit po vijon këtë të diel jo vetëm nga jashtë vendit, por edhe brenda. Pasi shumë qytetarë të Tiranës që u larguan në drejtim të juglindjes po kthehen në kryeqytet. Report Tv sjell pamjet nga radhët e automjeteve në Elbasan.