'E mbyllim tregun siç e hapim!' Bie fuqia blerëse në Vlorë e Kukës, qytetarët: Fukarallëku nuk ka lekë

27 Dhjetor 2019, 17:26

Edhe pse jemi në prag të Vitit të Ri ku tregjet e fruta-perimeve priten të kenë shitje të mëdha ky fundvit e ka gjetur të zbrazët tregun në Vlorë. Tregtarët ankohen se këtë vit është ulur fuqia blerëse krahasuar me vitet e tjera edhe pse çmimet nuk kanë ndryshuar.

“S’ka punë fare, hapet malli e mbyllim njësoj. Këtë vit ka rënë fare-fare. Është shumë dobët, njerëzit e kanë braktisur kanë ikur. Çmimet janë të lira. Nuk jam dalim vetëm për të marrë bukën. Edhe çmimet janë të ulëta dhe situata sa vjen dhe po rëndohet”, thanë tregtarët në Vlorë.

Konsumatorët nga ana tjetër, thonë se çmimet në treg nuk janë të shtrenjta, por gjendja e ulët ekonomike i ka detyruar që të mos blejnë shumë.

“Çmimet janë shumë mirë dhe nuk ka asnjë ndryshim nga dy javë më parë. Por s’kemi bukë të hamë. Ekonomia nuk është aq e mirë aq e përshtatshme”, thanë qytetarët.

Gjeli i Detit është gatimi tradicional i familjeve Shqiptare për Vitin e Ri por fermerët thonë që këtë vit edhe kërkesa për gjela deti ka qenë e ulët. Në Vlorë 1 kg mish gjeli kushton 600-650 lekë.

“Po vuajmë shumë, çmimi sot për sot është shumë i ulët 600-650 lekë për kilogram. Blerjet kanë qenë shumë të pakta”, thotë fermeri në Vlorë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në qytetin e Kukësit. Qytetarët thonë se çmimet në prag të festës së Vitit të Ri nuk kanë ndryshuar, ndërsa tregtarët  tregojnë së fuqia blerëse ka rënë.

“Në treg kam dalë, çmimet nuk ka ndryshuar, po fukarallëku nuk ka lekë se çmimet mirë janë s’kanë ndryshuar. Lekë nuk ka se nuk janë rritur rrogat, nuk janë rritur pensionet”, tha një qytetar.

“Populli nuk ka ku shkon më i varfër, të gjitha çmimet vetëm ngrihen këtë vit akoma jo por të shohim”, tha një qytetare.

“Nuk ka lek hiç, çmimet janë të ulëta por nuk ka blerje sepse populli nuk ka lekë”, tha një tregtar në Kukës.

Por pavarësisht se nuk ka rritje të çmimeve këtë vit tryeza e Vitit të Ri në familjet kuksiane do të kushtojë më pak se vitet e kaluara. Kjo për shkak të gjendjes së ulët ekonomike dhe numrit të lartë të papunësisë.