'E ndezim zjarrin me orar'...Dimër pa tym në oxhaqet e kuksianëve: Kursejmë se nuk ka lekë

10 Dhjetor 2019, 15:19

KUKËS - Dimri ka trokitur, por çmimi i lartë i druve ka bërë që oxhaqet në Kukës të mos nxjerrin tym. Kuksianët janë detyruar që të kursejnë drutë që përdorin për zjarr. Dimri bëhet edhe më i vështirë në qytetin maltor të veriut ku dhe temperaturat ulen ndjeshëm.

Banorët shprehen se më vështirësi i kanë siguruar drutë për shkak të çmimit të lartë nga 3500 deri në 4500 lekë për kub. Sipas banorëve shpesh herë ata nuk marrin atë sasi për të cilën kanë paguar. Ndërkohë në Kukës nuk ka asnjë pikë për tregtimin e druve të zjarrit për ngrohje dhe kompani të licencuara për prerjen e shitjen e druve.

A e ke ndezur zjarrin? Me orar. Paradite nuk ngrohemi sepse kushton.

Me orar të shkurtuar sepse edhe drutë janë të shtrenjta. Më shumë me batanije.

Sabah dhe aksham sepse koha është e mirë.

Pak kursejmë sepse nuk ka lekë. Me kursime kalojmë. Ma shtrenjtë nuk ka ma.

Duhet me i kursyer drutë”, thanë banorët kuksianë.

Ngrohja me dru është e vetmja mënyrë për kuksianët pasi energjia elektrike apo ngrohja me gaz ka një kosto akoma më të lartë çka nuk mund të përballohet nga ekonomia e tyre. Edhe në shkolla, kopshte e çerdhe përdoret ngrohja me dru.