'E ndjeja se diçka do shkonte keq...përse o mam?!' Familjarët e studenteve kujtojnë aksidentin tragjik të Himarës

21 Maj 2019, 16:47

13 jetë të ndërprera në mes. Ky ishte bilanci tragjik i  aksidentit në Qafën e Vishës në Himarë, kur rreth orës 16:15 të datës 21 maj të vitit 2012 autobusi me studentë të  universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan doli nga rruga dhe ra në humnerë. Si pasojë gjetën vdekjen 11 studente të vitit të tretë dega Gjuhë-Letërsi, i fejuari i njërës prej të rejave, si dhe drejtuesi i autobusit, ndërsa mbetën të plagosura  22 studente të tjera.

Sot 7 vjet pas kësaj tragjedie, e cila la një brengë të madhe në zemrat e familjarëve të viktimave, ende kërkohet drejtësia. Pavarësisht se ka kanë kaluar vite prindërit e Dorina Stafës vijojnë luftën për të gjetur drejtësinë e munguar, e cila është një  peng për ta. Sipas tyre nëse drejtësia nuk vihet në vend, ata do ta vënë vetë atë.

"U bënë 7 vite, 7 vite, dhe vazhdon të thellohet mërzia, vazhdojmë të jemi në një gjendje ankthi. Tek e fundit drejtësia nuk po vjen, po vonohet. Në një ditë do ta gjejmë drejtësinë nëse shteti nuk do të veprojë ka forma të tjera shqiptari  që të veprojë. Ne nuk prehemi dot të  qetë pranë fëmijëve tanë, nëse drejtësia nuk vihet", shprehet Hasan Stafa, babai i Dorinës.

"Sot 7 vite nuk u mor asnjë masë, asnjë masë për 13 jetët. Duam drejtësi, vetëm drejtësi", shprehet mamaja e studentes së ndjerë.

E ëma e Eriola Xhoit,  infermiere  në spitalin e Elbasanit shprehet se humbja e të bijës ka lënë shumë plagë në zemrën e saj. Ajo thotë se ka shëruar shumë plagë pacientësh, por nuk ka mundur të shërojë dot plagët e saj.

"Po pse moj mam nga Llogaraja po dilni ju? Po më tha! Nuk e di pse më erdhi një ndjesi se do ju ndodhe diçka. E mora deri në Vlorë dhe nuk e mora më se më tha: Mos më merr  se dua të shijoj udhëtimin. Ajo ishte telefonata e fundit. Ylli, Lola ti je e pa zëvendësueshme e pa krahasueshme, do të mbetesh gjithmonë Lola e mamit", thotë mes lotësh nëna e Eriola Xhoit.

Mes lotëve e dhimbjes prindërit e Joana Debinjës përkujtojnë atë ditë të hidhur për ta.

"Na duket sikur e kemi këtu jo 7 vjet por sikur 7 ditë ka që ka ikur. Na iku kot. Erdhi mirë e bukur erdhi duke qeshur: Do të shkoj në ekskursion. Unë i thash mos shko edhe nga gjendja ekonomike. I thash mos ikni se do të vriteni se kisha dëgjuar se janë bërë aksidente. Faktikisht më tha një shoku im si fillim, më tha janë gjimnazistë, pastaj më erdhi më tha se janë studentë. Pastaj u nisëm për në Tiranë, s’dinim nga të shkonim, në Tiranë apo Vlorë. Shkuam një herë në Tiranë, pastaj  shkuam në Vlorë dhe morëm vesh lajmin. Nuk e di si ndodhi qe fati i keq i asaj dhe i joni. Nuk e di ajo për ne do të mbetet e pa harruar sa të jemi gjallë do ta kujtojmë", shprehet Flamur Debinja.

"Nuk gjej do fjalët, nuk mundem"...kaq arrin të thotë nëna, Elisabeta Debinja, që dhimbjen e ndjen si ditën e parë për humbjen e bijës së saj.

Jeta vazhdon për 22 studentet që i mbijetuan  kësaj tragjedie. Pjesa më e madhe kanë krijuar familje. Asnjë prej tyre nuk dëshiron të flasë për atë ditë të hidhur, 21 majin e vitit 2012.

Për ngjarjen nuk pati asnjë në burg, pasi vetë shoferi i automjetit humbi jetën, dhe mbi të gjitha faji nuk kishte qenë i tij. Por autobusi nuk kishte kryer asnjë kontroll. Kërkesa e familjarëve të studentëve është që të vihet drejtësia në vend duke ndëhkuar drejtuesit e kompanisë së autobusit me të cilin u aksidentuan të afërmit e tyre.