E plotë/ 102 figurat e larguara dhe të rrezikuara në listat e PS, PD dhe LSI, spostimet e befasishme të ‘xhaketave të vjetra’

9 Mars 2021, 19:32 | Përditesimi i fundit: 2021-03-09 22:02:17

Zyrtarizimi i listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, si gjithmonë në limitet e fundit kohore, ka prodhuar surpriza dhe befasi, pasuar natyrshëm me reagime, zhurmë dhe hatërmbetje. Kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshime drastike në listën që projekton grupin e ardhshëm të deputetëve të Partisë Socialiste, ndërsa ka rreshtuar në zonën e pasigurt të listës figurat më të fuqishme elektorale, por largimet dhe spostimet nuk mungojnë as në listat e PD-LSI, të cilat reflektojnë dorën e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Deputeti aktual dhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, nuk është përfshirë në listë dhe rrjedhimisht nuk do jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Largimi i Bushatit ishte deri diku i pritshëm, pasi pas shkarkimit si ministër i Jashtëm, kritikoi disa aspekte të qeverisjes, të cilat i kishte mbrojtur më parë. Bushati mori një tjetër goditje në 2019, kur e larguan si drejtues politik në Shkodër, lëvizje e cila u pasua me heqjen nga lista.

Nëse largimi i Bushatit pritej, befasuese është mungesa Anastas Angjelit dhe Sadri Abazit në lisë, i pari ish-ministër Financash dhe deputet në pesë legjislatura, ndërsa Abazi deputet që nga 2005 dhe biznesmen në fuqi elektorale. Pjesë e listës nuk figuron as ish-ministri i Brendshëm pa mandat deputeti, Sandër Lleshaj. Ministrja e Kulturës Elva Margariri është e vetmja anëtare aktuale qeverisë, e cila nuk është përfshirë në listë. Nuk do të jenë pjesë e Parlamentit edhe Musa Ulqini, i zgjedhur deputet në 6 legjislatura.

Janë larguar me vullanin e tyre deputetët Besnik Baraj, Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni dhe Adnor Shameti. Nuk janë përfshirë në listë deputetët aktualë të PS-së Senida Mesi, Anduel Xhindi, Fatmir Velaj, Sadi Vorpsi, Adriana Jaka, Luan Harusha, Andrea Marto, Rolant Xhelilaj.

Arben Kamami, Almira Xhembulla, Ardit Konomi, Adelina Rista, Xhavit Bushaj, Vilma Bello dhe Edmond Leka.

Ndërkaq, një grup senatorësh janë përfshirë në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste, por ata janë vendosur në zonën jo fituese. Ish-ministrja e Mbrojtjes, dhe aktualisht kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli, është renditur e 22-ta në Tiranë, numër i cili është jashtë planeve dhe objektivave të PS.