E rëndë në Kamëz/ Gruaja vritet nga kunati në Bathore, konflikti nisi për shkak të pronësisë!

15 Shtator 2020, 23:12

TIRANË- Një konflikt brenda familjes ka përfunduar me vrasjen e një gruaje. Sipas informacioneve për Report Tv, Agron Tanushi ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të bashkëshortes së vëllait të tij, Jetmira Hasanin.

Mësohet se pas vrasjes autori është larguar me shpejtësi dhe policia është vënë në ndjekje të tij.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur për shkak të konfliktit mbi pronësinë, pasi viktima dhe autori jetonin në të njëjtën shtëpi.

Vëllai i Agron Tanushit ndodhej në emigrim në Greqi prej shumë vitesh dhe bashkëshorten e tij, Jetmira Hasanin e kishte lënë tek familja e tij.

Mësohet se konflikti kishte vite që zhvillohej deri në ditën e sotme, ku pati një fund tragjik.

Arma e zjarrit nuk është gjetur, pasi pas ngjarjes 31 vjeçari Agron Tanushi është larguar me të.

Familjarët e Jetmira Hasanit kanë mbërritur në vendngjarje menjëherë pas mësimit të lajmit të hidhur dhe kanë pasur një konflikt verbal me familjen Tanushi dhe menjëherë ka ndërhyrë policia për t'i ndarë.