E rëndë në Korçë Si u riciklua një vrasës nga organet e drejtësisë shqiptare

17 Shtator 2019, 20:28

Gafat e drejtësisë Shqiptare nuk kanë të sosur, madje shpesh herë këtë gafa kanë sjellë lirimin e killerave të njohur nga burg, të cilët pasi janë “ricikluar” në shoqëri, kanë kryer sërisht vrasje. I tillë është rasti i Olger Mustafa që në Korçë njihet dhe si “Ger Muçi”. Mustafa, momentalisht ndodhet në burg pasi është marë i pandehur nga prokuroria e Korçës për akuzën e “Vrasjes me dashje” në dëm të Altin Balliut. Kjo vrasje që ka ndodhur në 17 janar 2019 në qytetin e Korçës është realizuar nga Mustafa pikërisht gjatë kohës kur ky i fundit ka qënë në periudhë prove dhe që domosdoshmërisht duhet të mbante kontakte me shërbimin e provës. Por çfarë ka ndodhur? Pse Olger Mustafa, ky i dënuar me 12 vite burgim në 2010 për tentativën e vrasjes së Marko Hysollit,dhe i liruar me kusht nga gjykata e Korçës, nuk ishte vënë në shërbim prove dhe s’moniturohej nga ky shërbim.

Pse u favorizua në këtë mënyrë Mustafa, aq sa ju la mundësia që ai të kryente një krim të dytë akoma dhe më të rëndë nga ai i pari, për të cilin ishte dënuar me 12 vite burgim. “Shqiptarja.com” ka mundur të hulumtojë rreth këtij rasti duke mësuar se Olger Mustafa pasi është liruar me kusht nga gjyqtarja e Korçës Flojera Davidhi, nuk është vënë asnjë ditë në kontroll nga shërbimi i provës. Një fakt i tillë është zbuluar nga një korrespodencë mes drejtueses së prokurorisë së Korçës Dhorina Theodhori dhe drejtorit të Shërbimit të Provës Korçë Kiço Koço. Kjo korespodencë mes dy zyrtarëve të drejtësisë në Korçë, është zhvilluar mes datës 14 dhe 15 maj 2019, pra katër muaj pas vrasjes së Altin Balliut dhe dy muaj pas vetëdorëzimit në polici të autorit të këtij krimi Olger Mustafa. Në kërkesën që drejtuesja e prokurorisë së Korçës i drejton titullarit të shërbimit të provës në këtë qytet Kiço Koço thuhet se:”…për nevoja të hetimit të procedimit penal me nr. 54 të vitit 2019 për veprën penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, kërkojmë nga ana juaj të na vihet në dispozicion një kopje e dosjes dhe praktikës për të vendosurin në shërbim prove, shtetasin Olger Mustafa…”.