E spiunuan qytetarët, Presidenti i klubit të Turbinës kapet me pistoletë në Bllok

20 Dhjetor 2019, 14:56

TIRANE-Presidenti i ekipit të futbollit të Turbinës së Cërrikut, Gentian Gjoka 45-vjeç me origjinë nga Vlora është arrestuar mbrëmjen e djeshme në zonën e Bllokut, pasi nga kontrolli fizik dhe në banesë iu gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë.

Operacioni sipas policisë u bë pas informacioneve nga qytetarët se një person në kërkim qarkullonte me armë zjarri. Pas lokalizimit, ai u prangos në rrugën “Medar Shtylla”. Më pas nga verifikimet rezultoi se Gjoka ishte i shpallur në kërkim për llogari të policisë së Vlorës për mashtrim. Edhe pse në kërkim ai lëvizte i qetë dhe madje i armatosur në një nga zonat më të frekuentuara në Tiranë.Tashmë Gjoka do të përballet me drejtësinë me akuzën e armëmbajtjes pa leje duke rrezikuar 7-15 vite burg, por edhe mashtrimit. Armëmbajtja pa leje në Kodin Penal ishte me burgim nga tre deri në shtatë vjet, por me ndryshimet në kodin e ri rritja e dënimit u bë nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.