E transferoi në Berat, Olsian Çela shpall kandidaturën për t'i zënë vendin Arta Markut

19 Prill 2019, 16:47

Olsian Çela është kandidatura e parë për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm që ka mbërritur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Emri i tij ishte përfolur dhe më herët për të marrë këtë post, i cili aktualisht mbahet nga Prokurorja e Përkohshme, Arta Marku, e ndërsa është zyrtarizuar vetëm pak minuta më parë.

Rregullorja parashikon 4 kritere kryesore për vlerësimin e kandidatëve për Prokurorit të Përgjithshëm: Kriteri profesional, kriteri moral dhe të integritetit, vlerësimi organizativ dhe drejtues dhe elemente shtesë për vlerësim (përvojë në jetën akademike, tituj shkencorë) dhe përgjegjësia për të zgjedhur Prokurorin e ri i i takon parlamentit.

Përveç kandidimit të Çelës, pritet të garojnë për këtë post Adnand Xholi, Enrik Ligori, Ervin Kondili, por dhe Marku e cila sipas burimeve të Report TV, do të kërkojë një mandat 7-vjeçar. Afati i fundit për të dorëzuar kandidaturën është 30 prill.

Kush është Olsian Çela

Emri i Çelës nuk është i panjohur për opinionin publik. Ai u bë pjesë e sherrit me drejtuesen e përkohshme të Krimeve të Rënda Donika Prela, në shtator 2018, në kohën që pritej të jepej pretenca për Shullazin. Prokurorja Prela organizoi hedhjen e një shorti me të 17 prokurorët e Krimeve të Rënda, për të vendosur prokurorin e radhës për çështjen Shullazi, por Olsian Çela dhe disa të tjerë e kundërshtuan këtë vendim. Kundërshtimin të tyre, Kryeprokurorja Marku iu përgjigj me masa disiplinore më 20 shtator: ajo vendosi nisjen e hetimit disiplinor për 7 prokurorë dhe transferimin e tre prokurorëve në prokuroritë e rretheve, specifikisht Besim Hajdarmataj në Pogradec, Sonila Muhametaj në Pukë dhe Olsian Çela në Berat.