E vërteta e vendimit / Gjykata Kushtetuese lë në fuqi masat anti-COVID, por kërkon vendosjen e një afati

9 Mars 2021, 19:46 | Përditesimi i fundit: 2021-03-09 19:50:11

Gjykata Kushtetuese ka lënë sot në fuqi urdhrin ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut, të datës 17 nëntor 2020, që ndalon grumbullime me shumë se 10 persona, tubimet, mbledhjet partiake, ceremonitë martesore etj., por i ka kërkuar qeverisë që të vendosë një afat se deri kur do të zbatohen këto masa. Ankimin në Kushtetuese e kishte bërë Partia Republikane, e cila kërkonte rrëzimin e vendimit në tërësi, me pretendimin se shkel të drejtat e njeriut. Gjykata e ka pranuar pjesërisht padinë, por pa prekur thelbin e urdhrit, i cili ndalon grumbullimet të çdolloj forme.

Konkretisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë vetëm shprehjen “deri në një urdhër të dytë”, në pikën 1 të urdhrit të ministres së Shëndetësisë. Me këtë vendim, Kushtetuesja nuk pranon që ky urdhër të mos ketë një afat për aplikimin e masave. Kushtetuesja i kërkon qeverisë që të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve, pra të vendosë një afat për masat, brenda një jave nga shpallja e vendimit.Partia Republikane me në krye Fatmir Mediun depozitoi në 4 dhjetor 2020 një padi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar lejimin e grumbullimeve. Sipas Fatmir Mediu “vendimi për ndalimin e aktiviteteve politike bie ndesh me Kushtetutën, krijon pabarazi politike në një kohë që jemi në proces zgjedhor. Partive politike u mohohet kjo e drejtë dhe më problematike është mungesa e barazisë”. Por, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ndalimi i grumbullimeve në kohë pandemia është një vendim i drejtës që duhet të marrin qeveritë.