Edhe dy ditë kohë, Tatimet paralajmërim bizneseve: Aplikoni për pagat e punonjësve ose do gjobiteni

3 Qershor 2020, 16:40

Edhe vetëm 2 ditë kohë kanë bizneset për të aplikuar për punonjësit e tyre që të marrin pagën e luftës, në të kundërt pas datës 5 qershor do të gjobiten. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paralajmëron punëdhënësit që do të sanksionohen dhe punonjësit do ta marrin direkt në llogari. Nëse pronarët nuk aplikojnë ata do të gjobiten me nga 50 mijë lekë për secilin punonjës. 

Ndërkohë sipas Tatimeve nga dy paketat financiare si për atë 26 mijë lekë për tre muaj, ashtu edhe për atë 40 mijë lekë kanë përfituar që prej datës 1 Prill deri në 2 Qershor, 73 mijë 830 biznese dhe 187 mijë 437 punonjës.

Deri më 2 qershor sipas të dhënave të tatimeve e kanë marrë pagën 40 mijë lekë 122 mijë e 473 punonjës.

Numri më i madh i përfituesve është në sektorin e shërbimeve me 87 mijë e 128 punonjës, më pas vjen sektori i tregtisë me mbi 47 mijë përfitues dhe më pak përfitues janë në sektorin e transportit me 9 mijë e 445 persona përfitues aktualisht.  Nga paketat financiare kanë përfitues janë 108 mijë e 481 burra dhe 86 mijë femra.